VIDEO/ Pas kërcënimeve të Ramës, policia arreston Fredi Belerin në Himarë

Pas disa kërcënimeve radhazi të Edi Ramës, policia ka arrestuar kandidatin e "Bashkë Fitojmë" në Himarë, Fredi Bejleri. 

Ndalimi i Belerit është bërë teksa dilte nga një restorant në shëtitoren e Himarës. Urdhri për ndalimin e tij është bërë me urdhër të SPAK, pasi janë ngritur akuza për blerje të votave.

Ai është shoqëruar për në ambientet e DVP Vlorë. 

Të shtunën, Edi Rama hodhi akuza dhe fyerje ndaj Belerit, duke e quajtur injorant dhe analfabet që del dhe mashtron në takimet e fushatës.

Ndërsa në mitingun përmbyllës në Tiranë, Rama tha se Beleri ka bërë deklarata përçarëse se do të helenizojë Himarën.

Po ashtu Rama përmendi emrat e dy personave të tjerë, Spiro Kola dhe Napolon Çakalli se kërcënojnë emigrantët shqiptarë në Greqi me djegien e dokumenteve nëse nuk votojnë Fredi Belerin. 

Pas këtyre qëndrimeve të njëpasnjëshme të Edi Ramës, SPAK ka urdhëruar ndalimin e Belerit. Ndërsa mbetet për t'u parë vërtetësia e akuzave për blerje votash.