VIDEO 'Balla-Basha'/ Ja provat që rrëzojnë alibinë e Lulzim Bashës

Lulzim Bashës iu deshën rreth 18 orë për të përgatitur dy rreshta reagim në rrjetet sociale, pas videos ekskluzive të takimit me Taulant Ballën, që u publikua mbrëmjen e kaluar në "Çim Peka Live", në Syri Tv.  

Ai pretendon se videoja është montazh, shpifje dhe trillim për t'i fryrë përçarjes së demokratëve. "Nuk mbahen dot me sajesat e minutës së fundit, gënjeshtrat e dala boje para gjithë botës", shkruan ai. 

Pra, kaq është i gjithë reagimi për një nga skandalet më të mëdha në adresë të tij që fakton akuzat e bëra në kohë të ndryshme nga Sali Berisha dhe përfaqësuesit e tjerë të PD, se është i marrë peng nga Edi Rama.  

Lulzim Bashës nuk i maftoi si provë pamjet filmike të apartamentit që frekuentonin së bashku ai dhe Balla. Video e publikuar nga Syri Tv është vetëm një nga momentet e takimit Basha-Balla, se zëra për takime intensive mes tyre ka patur vazhdimisht. 

Por sot jemi të detyruar ta vendosim Lulzim Bashën përpara fakteve që rrëzojnë alibinë e tij. 

Takimi mes të dyve është realizuar në datën 3 dhjetor 2022, në apartamentin e një bashkëpunëtoreje të përbashkët të tyre. 

Në foton më poshtë duket kamera e sigurisë së pallatit, që ka filmuar mbërritjen e Bashës me makinë, te apartamenti i mikeshës së tij. 

 
Lulzim Basha ka mbërritur në orën 18:04 minuta me një automjet tip "Jeep" me targa AA751NO. Ai zbret nga makina dhe i drejtohet hyrjes së pallatit. Basha nuk ka përdorur makinën e tij personale, ndoshta për të shmangur rënien në sy. 

Kamera e brendshme e pallatit, kamera e dytë që ka fiksuar lëvizjet, ka filmuar Lulzim Bashën dhe Taulant Ballën teksa hynin në banesën e mikeshës së tyre të përbashkët. 

Në orën 18:27 minuta mbërrin kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla. Ai hyn në hollin e pallatit dhe më pas merr ashensorin për në banesën ku ndodhej Lulzim Basha. 

Lulzim Basha zbriti nga shkallët dhe jo nga ashensori. 

Taulant Balla largohet i pari nga banesa në orën 19:26 minuta, pasi takoi Lulzim Bashën për rreth 60 minuta.  

Ndërsa Lulzim Basha zbret nga shkallët e pallatit, duke shmangur ashensorin, në orën 19:45 minuta të pasdites së 3 dhjetorit 2022. 

Ndonëse takimet e fshehta mes Bashës dhe Ballës janë mohuar vazhdimisht, provat e tashmë faktojnë se si Lulzim Basha ndryshe nga sa artikulonte publikisht, takohej në fshehtësi me Taulant Ballën, rivalin kryesor politik, e që e akuzonte për lidhje me bandat.

Pengmarrja e opozitës përmes pazareve, dosja "Toyota Yaris" dhe milionat e tenderave për njerëzit pranë Bashës, janë rrjedhojë të lidhjeve të Lulzim Bashës me pushtetin. 

Takimi i fshehtë është zhvilluar në një kohë, kur opozita përgatitej për zgjedhjet lokale, ndërsa Gjykata e Apelit do të vendoste marrjen peng të logos së PD, për të rivalizuar kandidatët demokrat në këto zgjedhje, me të komanduar nga Enkelejd Alibeaj.

EKSKLUZIVE/ SYRI TV publikon VIDEON e takimit të fshehtë Basha-Balla