VIDEO-SYRI TV/ Denoncimi i Zija Ismailit për asfaltin elektoral, vëllai i Agron Kapllanajt tërheq makineritë

Denoncimi i bërë nga kandidati i opozitës për bashkinë Berat, Zija Ismaili, makineritë e vëllait të Agron Kapllanajt janë tërhequr nga shtrimi i rrugës së Velabishtit. Ismaili i cilësoi punimet të paligjshme, pasi nuk kanë tabelë informuese, por bashkia Berat pretendon se punimet po kryhen nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Megjithatë, vetëm pak javë para zgjedhjeve, Ervin Demo bleu rreth 1 milionë euro asfalt dhe çakëll te kompania e vëllait të Agron Kapllanajt, njeriu i afërt i grupit Basha-Alibeaj.

Nga SYRI TV

Një ditë pas denoncimit live në SYRI TV, që bëri kandidati opozitës në Berati Zija Ismaili për shtrimin e rrugës së Velabishtit gjatë orëve të natës, kompania e vëllait të Agron Kapllanajt ka larguar makineritë duke mos e vijuar punën.

Siç shihet nga pamjet, rruga e Velabishtit do të rivishej me asfalt, ndërsa punimet për shtrimin e tij po kryheshin gjatë natës nën rrebeshin e shiut. Kandidati Zija Ismaili, dhe drejtuesi politik i qarkut, Tomor Alizoti, u shprehën se punimet në këtë rrugë po kryheshin pa një tabelë informuese, siç këkron ligji, ndërsa akuzuan ministrin Blendi çuçi se dërgoi policinë për të intimiduar.

Për këtë ngjarje me anë të një komunikate shpërndarë mediave reagoi dhe bashkia Berat, e cila pretendon se rruga po shtrohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Por pavarësisht këtij pretendimi, bashkia Berat nuk sqaron pse asfalti për rrugën hidhet natën dhe pse në këtë aks nuk është vendosur tabelë punimesh.

E ndërsa këto punime ia faturon Fondit Shqiptar të Zhvillimit, ERvin Demo duket se ka të preferuar kompaninë “Shkëlqimi 07”, e cila është në pronësi të vëllait të Agron Kapllanajt, një nga njerëzit e afërt të grupimit Basha-Alibeaj, që ka fituar miliona euro tendera nga bashkitë socialiste. Vetë Ervin Demo, vetëm pak javë më parë, Belu rreth 1 milionë euro asfalt dhe çakull te kompania e vëllait të Agron Kapllanajt, inerte të cilat duket se i ka përdorur pikërisht për të marrë votën e qytetarëve nëpërmjet asfaltit elektoral gjatë orëve të natës.

Në total, Ervin Demo i ka dhënë rreth 10 tendera kompanisë Shkëlqimi 07, e cila duket se është ndër të preferuarat e kësaj bashkie për blerje asfalti në periudha zgjedhore.