Lajçak pas takimit me Kurtin: E rëndësishme të kuptohen hapat që do ndërmerren
I dërguari i posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun me Serbinë, Mirosllav Lajçak, ka folur në përfundim të takimit që ai pati mëngjesin e kësaj të enjteje me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.
Lajçak ntheksoi se pati një “diskutim të rëndësishëm” me kryeministrin Kurti në lidhje me hapat që do të ndërmerren në vijimësi të takimit të 2 majit për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Erdha në Prishtinë sot për të diskurtar me kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministrin [Besnik] Bislimi për rrugën përpara në procesin e normalizimit pas takimit të 2 majit. Është e rëndësishme që e kuptojmë qartë sekuencën e hapave (që do të ndërmerren), kështu që patëm një diskutim të rëndësishëm në të gjitha aspektet. Unë do të kem të njëjtat diskutime nesër në Beograd”, tha Lajçak.
Lajçak theksoi se pas Marrëveshjes së arritur në Ohër tashmë bisedimet duhet të vijojnë me hapin e radhës.
“Ne kemi Marrëveshjen, kemi Aneksin, ndaj duhet të kemi një kuptim të qartë të hapit të parë, hapit të dytë dhe hapit të tretë”, u shpreh ai, duke shtuar se diskutimi me kryeministrin e Kosovës ishte “shumë intensiv, por shumë i rëndësishëm”.
I pyetur për modelin kroat për Asociacionin, për të cilin Qeveria e Kosovës insiton, Lajçak u shpreh se ajo që është e pranueshme për Bashkimin Evropian është diçka që “bazohet në normat evropiane dhe vlerat evropiane, e cila është në përputhje me modelet ekzistuese evropiane”.
“E kemi thënë që në fillim. Nuk do të them më shumë për këtë. Unë mendoj se jam mjaft i qartë”, u shpreh ai.