Berat/ Kompania e Agron Kapllanajt hedh asfalt elektoral në shi, 3 ditë para zgjedhjeve

Edi Rama vazhdon të qerasë me tendera miliona lekë kompaninë e vëllait të Agron Kapllanajt, "Shkëlqimi 07".  Por krahas tenderave të dyshimtë, kjo kompani po kryen edhe punime jashtë standardeve, thjesht e vetëm për t'iu shërbyer interesave elektorale të Edi Ramës. 

Në Berat, kompania e Kapllanajt ka hedhur mbrëmjen e sotme asfalt në shi. 

Punimet që po kryhen në një segment rrugor në bashkinë e Beratit janë për qëllime elektorale. 

Por banorët e kanë kundërshtuar një gjë të tillë. 

Kandidati i opozitës për kryetar bashkie, Zija Ismaili dhe deputeti i PD, Tomorr Alizoti kanë denoncuar asfaltin elektoral që hidhet në shi duke deklaruar se qeveria po tenton të zhvatë votat. 

"Qytetarët duan investimet, transparencën se kanë paguar taksat. Këta duan t'u grabisin votat natën, në errësirë. Ne jemi në krah të qytetarëve dhe do t'i mbështesim ata", tha Ismaili për Syri Tv, gjatë një lidhje direkte. 

Deputeti Alizoti tha se për punimet nuk ka asnjë tabelë informuese, nuk dihet as shuma që është investuar. 

"Si mund të bëhet një rrugë pa kanalizime. Nuk ka transparencë, nuk ka tabelë informuese, nuk dihet vlera e investimit. Vetëm tre ditë para zgjedhjeve. Policia këtu është për të intimiduar njerëzit, njerëzit nuk e pranojnë këtë", theksoi Alizoti.  

Ata kanë debatuar edhe me forcat e rendit që mbërritën aty për të mos lejuar bllokimin e punimeve nga qytetarët dhe përfaqësuesit e opozitës.