Arjan Hoxha: Aq vota sa ka marrë Rakip Suli në Kamëz, unë i kam marrë në ‘Primare'

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Kamzës, Arjan Hoxha, është shprehur se gjatë fushatës elektorale ka pasur intimidime të shumta dhe tjetërsim të vullnetit të zgjedhësve.

Ai shtoi se ka marrë në procesin e “Primareve”, aq vota sa ka marrë Rakip Suli në zgjedhjen e tij si kryebashkiak i Kamzës.

“Forma të tjera të intimidimit i keni parë edhe dje. Legalizimet. Vetë punonjësi deklaronte që po i bëj legalizimin qytetarit, ndërkohë që e ka të ndaluar që në periudhën 30 ditore të fushatës të bëhen legalizime, të bëhen investime apo tenderime. Këto bëhen vetëm për vota.

Kemi edhe raste të tjera për intimidimin, tjetërsimin e vullnetit të zgjedhësve. Vetë fakti që janë sulur në këtë lloj forme, vetëm sa i motivon më shumë qytetarët dhe thellon humbjen e Rakip Sulit. Unë e kam kërkuar prej ditës së parë debatin me Rakip Sulin.

Qytetarët e kanë vendosur se kush do i përfaqësojë, e kanë vendosur që kur kam dalë në Primare. Aq votues sa ka marrë Rakip Suli në Kamëz, unë i kam marrë vetëm në procesin e ‘Primareve’”, u shpreh Hoxha në studion e emisionit “Log”. në Panorama TV  .