SYRI TV/ Urbanët e adrenalinës, shënohet aksidenti i radhës me 6 persona të lënduar
Gjashtë persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti të dyfishtë të regjistruar mëngjesin e së mërkurës pranë rrethrrotullimit të Saukut ku të përfshirë janë edhe dy autobusë të linjave urbane në kryeqytet. Të plagosurit janë dërguar në spital, teksa policia ka nisur punën për zbardhjen e rrethanave të plota të kësaj ngjarjeje të rëndë.
Nga SYRI TV
Autobusët e linjave në Tiranë janë kthyer në makthin e qytetarëve, teksa paraditën e kësaj të mërkure, dy autobusë urbanë të bashkisë Tiranë janë aksidentuar në Sauk duke lënë të plagosur pesë persona, të cilët ndodhen në spital për ndihmë mjekësore.
Sipas policisë, një automjet që po udhëtonte në këtë zonë, është futur kundravajtje dhe është përplasur me autobusin e linjës Petrelë-Tiranë. Por në këtë aksident është përfshirë edhe një tjetër urban i bashkisë Tiranë.
Policia e kryeqytetit ka nxituar të largoje me shpejtësi nga vendngjarja, autobusët e përfshirë në aksident, por ngjarja është raportuar nga mediet dhe pas një ore policia është detyruar të shpërndajë njoftimin zyrtar për aksidentin.
Nga aksidenti, 5 persona mbeten të plagosur dhe u dërguan në spital për ndihmë mjekësore.
Sipas policisë, pas mjekimit, 3 prej tyre janë larguar nga spitali, ndërsa shoferi i automjetit dhe një pasagjer kanë marrë plagë më të shumta dhe po qëndrojnë në spital nën kujdesin e mjekëve.
Për të disatën herë, autobusët e bashkisë Tiranë janë përfshirë në aksidente rrugore, duke shkaktuar jo vetëm panik dhe rrezik për jetën e pasagjerëve, por disa prej tyre edhe kanë mbetur të plagosur duke përfunduar në spital.
Në 27 shkurt të këtij viti një urban përplasi 9 automjete në afërsi të Shallvareve, dhe 9 persona përfunduan në gjendje të rëndë në spital.
Një tjetër aksident i rëndë ishte ai i 30 prillit 2022 kur një autobus përfundoi në Lanë së bashku me një automjet që e kishte përplasur.
Pavarësisht këtyre ngjarjeve të rënda, mesa duket nuk ka asnjë reagim nga ana e institucioneve për të ndryshuar këtë panoramë.