Blinken gënjeu nën betim/ Newt Gingrich: Ky është korrupsion i thellë

Para pak ditësh, një nga senatorët më të rëndësishëm republikanë në SHBA tha se ka të dhëna se Sekretari i Shtetit, Antony Blinken gënjeu Kongresin edhe pse ishte nën betim. Ron Johnson tha se Blinken gënjeu hapur kur u pyet për marrëdhëniet e tij me djalin e diskredituar të presidentit amerikan, Hunter Biden.

Ndërkohë Newt Gingrich, ish-kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, tha se ky është një korrupsion i thellë.

Sipas tij, marrëdhëniet e Blinken me familjen Biden janë shumë më të thella nga sa mund të mendojnë njerëzit.

“Këto janë gjëra që nuk mund t’i kesh në një kohë kur ka një ndjenjë të korrupsionit të thellë në familjen Biden dhe aleatët e tyre,” tha ai për Fox News. “Dhe në këtë kuptim, Blinken është pjesë e familjes së gjerë Biden”.

Të dhënat e verifikuara nga Fox News, sugjerojnë se Blinken zhvilloi një takim me Hunter Biden në kohën kur ishte Zëvendëssekretar i Shtetit në administratën Obama/Biden dhe Hunter ishte në bordin e firmës ukrainase të energjisë, Burisma.

Më pas gjatë një seance në Kongres, edhe pse nën betim, Blinken mohoi takimet.

“Unë mendoj se ka shumë pyetje për Antony Blinken, shumë prej tyre janë më të rëndësishme se rrëmuja totale në Afganistan. Dhe ato lidhen me marrëdhënien e tij me Kinën, paratë që merrte. Do të vijë një pikë ku pesha e provave do të jetë aq e madhe sa mendoj se duhet të caktohet një prokuror i posaçëm ose thjesht të nisin direkt paditë. Jo për presidentin, se ai nuk mund të paditet në detyrë, por mund të shkarkohet, por për të gjithë rreth tij,” tha Gingrich.