UEFA i cakton Romës gjyqtarin që ka dhënë më shumë penallti kundër Mourinhos
Jose Mourinho duket se nuk ka fat në këtë sezon me gjyqtarët dhe jo vetëm në Itali.
Trajneri bëhet gati të drejtojë Romën e tij në një ndeshje shumë të rëndësishme, gjysmëfinalen e Ligës së Europës, me një gjyqtar me të cilin nuk ka kujtime shumë të mira.
UEFA i ka caktuar për sfidën e parë ndaj Bajer Leverkusen anglezin Majkëll Oliver, i cili mori famë si “gjyqtari me kosh plehrash në vend të zemrës” pas deklaratave të Xhanluixhi Bufon kur i dha Realit në Ligën e Kampioneve një penallti që eliminoi Juventusin.
Dhe nuk është vetëm portieri italian ai që nuk ka kujtime të mira me Oliver.
Rezulton se britaniku është ai i cili ka dhënë më shumë penallti kundër skuadrave të drejtuara nga Jose Mourinho, plot 7 të tilla.
Ai ka dhënë penallti kundër në ndeshjet: Watford-Manchester United 3-1; Everton-Manchester United 1-1; Manchester United-Liverpool 1-1; Chelsea-Manchester United 1-0; Watford-Tottenham 0-0; Arsenal-Tottenham 2-1 dhe Everton-Tottenham 2-2.