Meta: Bashkia e Pogradecit në prag falimentimi. T'i japim fund një qeverie që ka në program shpopullimin!

Opozita zhvilloi këtë pasditë mitingun elektoral përmbyllës në Pogradec në mbështetje të kandidatit të koalicionit "Bashkë Fitojmë" për kryetar bashkie, Zini Tollozhina.  

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në fjalën e tij e vuri theksin te keqqeverisja e pushtetit qendror dhe lokal çka sipas tij ka çuar në falimentimin e bashkive. 

Meta tha se bashkia e Pogradecit është në prag të falimentimit dhe ka vuajtur si askush tjetër në këto katër vite edhe nga shpopullimi i rinisë.

Ai u shpreh se fitorja e kandidatëve të opozitës është e padiskutueshme në Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, si dhe Pogradec.

“Bashkia e Pogradecit është në prag të falimentimit. Ai duhet të ikë se i kishte të gjitha mundësitë që të bënte diçka për Pogradecin dhe kurrë nuk e bëri. Pogradeci ka vuajtur si askush tjetër në këto katër vite edhe nga shpopullimi i rinisë. Një vend pa rini është si një shtëpi pa fëmijëve. T’i japim fund një qeverie që e ka në program shpopullimin. Këtu nxitet shpopullimi i të rinjve dhe të rejave nga trevat e vendit aty ku mundësitë për zhvillim janë të jashtëzakonshme por mungon vullneti. Fitorja është e padiskutueshme. Është në Tiranë me Belind Këlliçin, në Durrës me Igli Carën, në Elbasan me Luçiano Boçin”, u shpreh Meta.