VIDEO-SYRI TV/ Berisha: Dënoj ndërhyrjen në zgjedhjet e Turqisë, Rama dhe Erdogan, interesa personale

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i bëri thirrje komunitetit shqiptar në Turqi, që të votojnë për liritë e tyre dhe mos të marrin në konsideratë mesazhin e kryeministrit Edi Rama, për zgjedhjet e së dielës në Turqi. Berisha dënoi  mbështetjen publike që Rama i dha presidentit Erdogan,  duke thënë se të dy kanë interesa në funksion të pushtetit të njëri-tjetri.

SYRI TV

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka dënuar ndërhyrjen e kryeministrit Edi Rama, në zgjedhjet që do mbahen në Turqi, pas mbështjes publike, që i dha përmes një videomesazhi, presidentit Erdogan. Në një dalje për mediat, nga selia blu, lideri i opozitës, deklaroi se Rama mbështet presidentin Erdogan në funksion të interesave personale, të pushtetit të njëri tjetrit.

Ndryshe nga kryeministri, kreu demokrat i bëri thirrje komunitetit shqiptar në Turqi, që në zgjedhjet e së dielës, të votojnë për dinjitetin dhe lirinë e tyre. 

Berisha theksoi se apeli i një kryeministri që ka përqendruar të gjithë pushtetin dhe pasuritë e vendit në duart e tij, duke larguar nga vendi me mijëra qytetarë, nuk duhet marrë në konsideratë.

Një ditë më parë, kryeministri Edi Rama, lavdëroi  presidentin Ergodan, duke shprehu mbështetjen publike ndaj tij, për zgjedhjet e së dielës në Turqi.