SYRI TV/ Presidenti Begaj, memec për çështjen 'Butrinti', s'preferon të flasë për shfuqizimin e ligjit
Çështja e Butrintit duket se nuk shfaq aspak interes për Presidentin e Republikës. Në një dokument zyrtar, Presidenti Bajram Begaj shkruan se nuk preferon të japë opinion për shfuqizimin e ligjit që jep me koncesion këtë pasuri kombëtare. Gjykata Kushtetuese ka pranuar kërkesën e Partisë Demokratike për shfuqizmin e tij, ku në ankimin e dorëzuar nga opozita, citohet një material me 3623 faqe prova që pretendojnë se ky koncesion është klientelist dhe kundër interesit publik.
Nga SYRI TV
Teksa Gjykata Kushtetuese ka pranuar padinë e Partisë Demokratike për shfuqizimin e ligjit që jep me koncension parkun e Butrinit, Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka refuzuar të marrë pjesë në seancën ku do të shqyrtohet çështja e po kështu, nuk ka pranuar as të shprehë qëndrimin e tij si palë e interesuar për tjetërsimin e pasurisë kombëtare të Butrinit.
Në një shkresë zyrtare, Presidenti Begaj shkruan se nuk preferon të japë mendim për këtë çështje, duke e lënë në dorë të Kushtetueses që të japë verdiktin, ndërsa mes rreshtave lë të nënkuptohet se nuk tregon fare interes për një pasuri kombëtare, pra në daç miratojeni ose po të doni jo.
‘Presidenti i Republikës përballë kësaj situate e ka të pamundur që të mbajë një qëndrim në lidhje me këtë çështje. Por, duke shprehur konsideratën më të lartë dhe besimin e plotë për institucionin e Gjykatës Kushtetuese e lë në çmim të kësaj gjykate, vlerësimin lidhur me pajtueshmërinë me Kushtetutën të legjislacionit, objekt gjykimi.’
Shkresa i është përcjellë Presidentit të Republikës më datë 6.2. 2023, ku kërkohet shfuqizimi i ligjit nr 50/2022 për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazheve kulturore, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit. Gjykata Kushtetuese pranoi shqyrtimin e padisë së Partisë Demokratike për shfuqizimin e ligjit që parkun e Butrintit ia heq shtetit dhe ia kalon pronësinë privatit.
Sipas palës paditëse, theksohet: “Me koncesionin e Butrintit është shkelur neni 3 i Kushtetutës, i cili thotë që shteti shqiptar është garant për identitetin dhe për trashëgiminë kulturore. Në rast të këtij koncesioni nuk është shteti shqiptar, sepse shteti shqiptar ka vetëm 20%. Po kështu, në padi theksohet se është shkelur Konventa e Parisit, konventa e trashëgimisë kulturore, pasi Butrinti përveçse pasuri shqiptare, është edhe pasuri botërore e mbrojtur nga UNESCO, çka kërkon që të menaxhohen dhe të administrohen vetëm nga shteti”.
Në ankimin e dorëzuar nga opozita, citohet një material me 3623 faqe prova që pretendojnë se ky koncesion është antishqiptar, klientelist dhe kundër interesit publik.