SYRI TV/ Legalizime për vota, denoncohet me pamje krimi elektoral
Edi Rama po përdor sërish procesin e legalizimeve për vota. Qytetarët kanë filmuar dhe denoncuar pranë Syri TV zyrtarët e Kadastrës që kanë zbritur në zonën e Laknasit për t’u premtuar qytetarëve legalizime, vetëm 5 ditë para zgjedhjeve. Me një procedurë të dyshimtë, këta zyrtarë u marrin emrat qytetarëve për legalizim, duke tentuar kështu marrjen e votës në favor të kandidatit socialist Rakip Suli
SYRI TV
Edi Rama erdhi në pushtet duke premtuar legalizime falas për banesat e qytetarëve. Por pas 10 vitesh në pushtet dhe vetëm 5 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, qeveria socialiste po i përdor sërish legalizimet për të mashtruar qytetarët e për t’u marrë votën.
Zyrtarë të Kadastrës kanë shkuar dje në zonën e Laknasit në Bashkinë e Kamzës, ku kanë kontaktuar qytetarët, duke u premtuar se do u legalizojnë banesat, proces të cilin e kanë zvarritur prej shumë vitesh. Kanë qenë vetë qytetarët që kanë filmuar këtë krim elektoral dhe e kanë denoncuar pranë Syri Televizion, ku duket zyrtarët e Kadastrës teksa shkojnë derë më derë dhe u kërkojnë emrat banorëve që nuk kanë legalizuar banesat, duke u premtuar legalizimin e tyre.
Qytetari denoncues: Çfarë jeni duke bërë?
Zyrtari i Kadastrës: Legalizimet.
Zyrtari i Kadastrës-banores: Edhe emrin pak të lutem?
Qytetari denoncues: Pse legalizimet?
Zyrtari i Kadastrës: Ule pak atë (telefonin).
Qytetari denoncues: Nuk e ul se ju jeni duke bërë një gjë të paligjshme!
Pak javë më parë, kryeministri Edi Rama largoi nga pozicioni i drejtorit të Kadastrës, Artan Lamen, e në vend të tij emëroi Dallëndyeshe Bicin, një prej të besuarave të Ramës, që është kallëzuar penalisht jo pak herë për zbatimin e urdhrave politike e për kryerjen e ndërhyrjeve të paligjshme në dëm të biznesmenëve dhe qytetarëve. Por këtë herë duket se misioni i radhës është përdorja e Kadastrës për efekt elektoral, ku punonjësit e Kadastrës keqpërdoren për të shkuar derë më derë për të premtuar legalizime, një mashtrim që qytetarëve u është bërë për disa vite me radhë. Tashmë u takon organeve të drejtësisë, që të hetojnë rastin dhe krimet elektorale të zyrtarëve të Kadastrës.