EMRAT/ Shkoi me plagë në këmbë në spital. Identifikohen dhe shpallen në kërkim 3 të rinjtë të cilët qëlluan me armë 22-vjeçarin
Detaje të reja kanë dalë në lidhje me plagosjen e 22-vjeçarit, Aleks Laska në Lezhë, ku policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorët.
Një 22-vjeçar ka mbetur i plagosur me armë zjarri gjatë natës. Ngjarja ka ndodhur në Lezhë, ndërsa mësohet se i plagosur ka mbetur Aleks Laska.
Janë shpallur në kërkim tre autorë të dyshuar, Xhuljano Frroku, Leandro Frroku, Agustin Shahini të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin pas konfliktit me të riun e kanë goditur atë me mjete të forta dhe e kanë plagosur me armë në këmbë.
Fatmirësisht 22-vjeçari ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.
Njoftimi i policisë:
Lezhë/Dhunuan fizikisht dhe plagosën me armë zjarri, një shtetas, mbrëmjen e djeshme, identifikohen dhe shpallen në kërkim autorët e dyshuar.
Rreth orës 22:30 të datës 08.05.2023, në Urgjencën e Spitalit Rajonal Lezhë, ka shkuar për ndihmë mjekësore, i plagosur me armë zjarri, në këmbë, shtetasi A. L., 22 vjeç, banues në Rrilë. Menjëherë pas njoftimit, grupi hetimor ka filluar veprimet hetimore për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e kapjen e autorit/ëve.
Si rezultat i punës hetimore profesionale intensive, u bë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorëve të dyshuar, shtetasve: L. F., 29 vjeç, Xh. F., 26 vjeç dhe A. Sh., 27 vjeç, të tre banues në Lezhë. Këta shtetas dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pas një konflikti të çastit, në ambientet e jashtme të një bilardoje, në Lezhë, kanë goditur me mjete të forta shtetasin A. L., si dhe e kanë plagosur atë me armë zjarri, në këmbë. Vijon puna për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.