INTERVISTA/ Lufta e Ramës për Vorën, bashkinë më të pasur, me cuba dhe para - Avenir Peka denoncon

Ndërkohë që mediat janë përqëndruar në një betejë të fuqishme elektorale për bashkinë e kryeqytetit ndërmjet kryebashkiakut socialist Erion Veliaj dhe kandidatit të opozitës, Belind Këlliçi, një fushatë e ashpër po zhvillohet në sfond për një nga bashkitë më të vogla të vendit, atë të Vorës, në afërsi të Tiranës.

Shumëkush mund të ngrejë pikëpyetje se përse po mbahet në hije nga kryeministri Rama, gara e "kryebashkiakut" të pestë socialist të një mandati, të të panjohurit Blerim Shera, përballë demokratit, ish-deputetit Indrit Hoxha; se përse jo më larg së mbrëmë Policia e Vorës u njoftua për tentativa për blerje votash; se përse drejtuesi politik i PS dhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, krahas fushatës së tij, i mban sytë mbi gjithçka që ndodh në Vorë, natën dhe ditën?!   

Z. Avenir Peka, drejtues i Departamentit të Rendit dhe të Sigurisë në PD, që po ndjek fushatën e kandidatit të koalicionit "Bashkë fitojmë" në Vorë, të z. Indrit Hoxha, e shpjegoi qartë sot në një intervistë në Kafe Shqeto në SYRI TV, rëndësinë e bashkisë së Vorës për qeverinë dhe kreun e saj.

"Bashkia e Vorës është  bashkia me buxhetin më të madh në Shqipëri pas Tiranës;  ka mbi 1000 biznese të mëdha dhe VIP dhe mbi 82 milionë euro të ardhura vjetore. Bashkia e Vorës është bashkia më e pasur jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan.

E megjithatë, është e falimentuar.  "Qeveria qendrore i jep 1/10 e fondeve që mbledh, sepse të tjerat i menaxhon Edi Rama, - vuri në dukje z. Peka. - Unë  besoj se kjo është bërë në mënyrë të qëllimshme ose Rama e ka detyruar kryetarin e bashkisë të Vorës ta falimentojë... sepse ato lekë i administron Rama vet " akuzoi ai.

Ndiqni intervistën e plotë me z. Avenir Peka me gazetarët Flavio Qarri dhe Ola Bregu në studion e  “Kafe Shqeto” në SYRI TV mbi atë që po ndodh në Vorë në këto ditë, për përpjekjet e Partisë Demokratike për të mos lejuar blerjen e votave nëpërmjet shantazheve dhe presioneve dhe për shpalosjen e një programi që në radhë të parë do ta nxjerrë nga falimentimi.  

Kafe Shqeto: Z. Peka, si ka shkuar për ju kjo fushatë dhe konkretisht, në zonën e Vorës?

Avenir Peka: Fushata është në fundin e saj. Në Vorë kemi bërë një fushatë të shkëlqyer. Partia Socialiste në fakt nuk ka bërë ndonjë fushatë, sepse nuk ka bilanc plus që një pjesë të rëndësishme e kanë kaluar duke u përballur me paditë penale, të cilat kandidati i PD, Indrit Hoxha, ka depozituar kundër kandidatit të PS.

Kafe Shqeto: Më falni për pyetjen, cili është kandidati i PS në Vorë?

Avenir Peka: Është një Shera më duket. Partia Socialiste që nga 2019-a ka ndërruar pesë kandidatë. Ky është kandidati i pestë, sepse të gjithë të tjerët përpara kanë përfunduar në burg. Siç duket edhe ky e ka radhën për të përfunduar në burg dhe këtë e them pa shaka. Dy padi, dy kallëzime penale janë  depozituar në SPAK, i treti depozitohet nesër. Po shqyrtohen edhe vendosje të tjera. Gjithsej besoj se janë diku tek 6-7 padi që janë depozituar, kështu që edhe kandidati i PS drejt asaj rruge është.

Kafe Shqeto: Do të ndodhë ajo që ka ndodhur nga 2019-a e këtej. Do të fitojnë zgjedhjet me mënyra ekstrazgjedhore dhe ai që shkon në burg, zëvendësohet nga një punonjës tjetër i bashkisë, i radhës? 

Avenir Peka: Po shoh që ka përpjekje ditët e fundit, për të hedhur para, por unë do t’i jepja një këshillë kandidatit të Partisë Socialiste, që të mos harxhonte lekë  për fushatën elektorale, sepse do t’i duhen për avokat. Edhe po i bleu votat, ai për gjashtë muaj nuk është më kryetar bashkie, sepse ka disa çështje që janë në SPAK dhe janë çështje të kopsitura, janë para të vjedhura. Të vjedhura shqeto. Vetëm muajt e fundit, ai ka tenderuar 14.5 milionë euro, tendera fiktivë.

Vora është një nga zonat që ka pasur dëmtimet më të mëdha nga tërmeti. Ka që nga 2019-a që qytetarët e Vorës i mbajnë me mashtrime për ndërtimin e pallateve dhe shpërndarjen e apartamenteve. Tani këto i përdorin si mekanizma presioni për fushatën elektorale. Ky është një nga mekanizmat që ata po përdorin. Në këtë situatë, bashkia e Vorës është falimentuar. Bashkia e Vorës është bashkia që buxhetin më të madh në Shqipëri pas Tiranës sepse ka mbi 1000 biznese të mëdha dhe VIP që janë në zonën e Vorës dhe është bashki që ka 82 milionë euro të ardhura vjetore. Pas Tiranës, është bashkia më e madhe për nga buxheti.

Kafe Shqeto:  Nëse ti ke një biznes që të sjell 82 milionë euro në vit dhe punëson një drejtor që krejt papritur të falimenton e ky drejtor aplikon sërish për vendin e punës... Si funksionon kjo në logjikën politike, z. Peka?

Avenir Peka:  Në logjikën politike?! Jua shpjegoj unë. Vora ka  39 mijë banorë në gjendjen civile. Realisht ka më pak, sepse kanë lëvizur njerëzit. Nga momenti që Partia Socialiste ka marrë pushtetin, Vora, nga 200 e ca punonjës që ka pasur në administratë, ka shkuar në njëmijë e gjashtëdhjetë e ca. Nga këta, 726 punonjës të administratës janë importuar nga Tirana, janë “patronazhistët e lali Erit”. “Lali Eri” është drejtuesi politik i Vorës dhe janë 726 persona që punojnë në bashki, që marrin rrogën kot, pjesa e atyre që nuk punojnë dhe nuk banojnë në Vorë.

Kafe Shqeto: I keni identifikuar?

Avenri Peka: Të gjithë, pa përjashtim! Kjo tregon faktin që punësimet në bashkinë e Vorës janë të gjitha punësime politike që nuk kanë lidhje as me profesionalizmin,  as me performancën. Kalojmë te buxheti. Buxheti i Vorës është falimentuar qëllimisht. Vora është e falimentuar si bashki dhe sot qeveria qendrore i jep diku tek 7-8 milionë euro, pra 1/10 e fondeve që mbledh bashkia, sepse të tjerat i menaxhon Edi Rama. Unë  besoj se kjo është bërë në mënyrë të qëllimshme ose Rama e ka detyruar kryetarin e bashkisë të Vorës ta falimentojë.

Kafe Shqeto: Për çfarë interesash është bërë kjo?

Avenir Peka: Sepse ato lekë i administron Rama vetë dhe po të shikosh, ka disa bashki kyçe, duke përfshirë edhe Vorën, edhe Kavajën... Të bëjmë një llogari të thjeshtë. Bashkia e Tiranës ka gati 1 milion banorë; buxheti i bashkisë së Tiranës është 276-278 milionë euro me gjithë taksat që ka rritur “lali Eri”, me gjobat që vë.

Bashkia e Vorës është më pak se 40 mijë banorë dhe buxheti i saj është 82 milionë euro. Pra, buxheti është tri herë më i vogël se i bashkisë së Tiranës dhe popullsia është 25 herë më e vogël se  e Tiranës dhe po ta llogaritësh për banorë, bashkia e Vorës është bashkia më e pasur jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan. Dhe çfarë ndodh?! Shkon në qendër të Vorës dhe e ke si Kandahar! Është tmerr!

Është bërë një tender pastrimi prej 2.3 milionë eurosh para disa ditësh (pas ka edhe 600 - 800 milionë që është bërë tender gjelbërimi) dhe në Vorë nuk futesh dot! Nuk futesh dot me “Fuoristrada”, se s’ke ç’të pastrosh aty. Është vjedhje e pastër. Kështu që mekanizmi që kanë përdorur është që e kanë falimentuar si bashki, që është bashkia me buxhetin më të madh për frymë, në Shqipëri po e po, por edhe në krahasim me qytetet e tjera dhe ato fonde i menaxhon Edi Rama e ky “zari” që kanë në bashki të Vorës, as nuk e di çfarë bëhet aty, sepse i menaxhon tjetërkush! Dhe ato tendera që jep, nuk i ka! Ai vetëm firmos sepse ka një bandë atje, që e kapin për veshi dhe e menaxhojnë. Kjo është panorama e Vorës, aq më tepër që territori i bashkisë së Vorës është nga territoret më të vogla në republikën e Shqipërisë dhe me pak gjë, bën mrekullira aty.

Kafe Shqeto:  Sa e vështirë do të jetë për z. Indrit Hoxha, sepse ai garon për Partinë Demokratike në Vorë, për ta ringritur dhe për ta çuar në nivelin e duhur?

Avenri Peka: Vora për gjashtë muaj sistemohet në mënyrë fantastike. Jua them si e pse.  E para njëherë, nxirret nga falimenti. Për nxjerrjen nga falimenti, kandidati i PD e ka mekanizmin dhe programin e vet që është fare i thjeshtë. Së pari, është falja e gjobave të biznesit të vogël dhe detyrimet e prapambetura, që nuk është gjë e madhe, njëmijë e ca biznese të vogla që janë nuk është ndonjë gjë e madhe që e rëndon buxhetin.

E dyta është ulja e taksave  me 80%. Në qoftë se paguajnë 900 mijë lekë të vjetra taksa në vit, nuk do të paguajnë 900 po do të paguajnë 200. Po ato 200 mijë lekë do të mblidhen. Me kaq para mund ta lehtësosh edhe biznesin e madh, t’ia ulësh deri në 50%, por ama që t’i paguajnë. Ideja është që të ulësh taksat, barrën, dhe ajo çka ngelet, ta vjelësh. Me këtë mekanizëm del bashkia nga falimenti, ia tërheq buxhetin Edi Ramës dhe fillon e investon. 80 milionë euro për bashkinë e Vorës janë shumë e më shumë se ç’nevojiten.

Kafe Shqeto: Megjithatë, Vora, përtej qëllimit të kryeministrit për t’i marrë ato para, ka qenë zonë edhe politikisht “e nxehtë”, edhe fizikisht “e nxehtë”. Jo më kot drejtuesi i Departamentit të Rendit dhe të Sigurisë ndodhet në terren aty. A duhet të ketë për qytetarët shqiptarë, edhe pse votohet elektronikisht, një shqetësim për ndërhyrje ekstra-politike, para-politike, para-militare në Vorë?

Avenir Peka: Ka ndërhyrje. Ka disa mekanizma që po përdoren. I pari është mekanizmi i presionit dhe shantazhit ndaj punonjësve të administratës. Ka disa drejtorë aty që i bëjnë presion, stafit. Marrin emrat me listë, u marrin kartat, por do të merremi edhe me ata. Do të merremi edhe këto ditë të fushatës, po do të merremi veçanërisht pas fushatës. Ka presion që ushtrohet me shpëndarjen e apartamenteve të pallateve  të rindërtuara, nga ato që s’janë rindërtuar, sepse ka një mashtrim të madh nga 2019-a. Akoma në një grusht vend siç është Vora nuk janë rindërtuar; pjesa më e madhe nuk janë rindërtuar dhe nuk janë shpërndarë pallatet . ka presion që bëhet me dosjet e ALUIZNI-it, kam përshtypjen rreth 450 dosje që u bëhet presion kryesisht zonave përreth dhe e lidhin, plotësimin e dosjeve me ...

Kafe Shqeto: ... me votat e 14 majit!

Avenir Peka: Ka dhe disa që bëjnë si të fortë aty, që është histori tjetër, por ajo që ne kemi bërë dhe duhet ta kenë parasysh edhe qytetarët e Vorës, por veçanërisht këtë të fortët që bëjnë si cuba atje, se anëtarët e PD, strukturat e PD, janë të instruktuara të mbledhin çdo lloj informacioni duke filluar nga individi, duke filluar nga targat e makinave, duke filluar nga pjesëtarë të administratës, drejtues të administratës që bëjnë presion, duke vazhduar te të fortët e lagjes aty, ca hashashaxhinj që shpërndajnë lekë, i marrin nëpër makina, i  transportojnë, i lëvizin, i fusin...

Të gjitha të dhënat do të mblidhen nga gjithsecili, duke filluar nga kryetari i baskisë e duke vazhduar... Tamam-taman duke filluar nga “lali Eri” që është drejtuesi politik i fushatës, duke vazhduar me këtë “zarin” që ka në bashki, me ata cubat e fortë që bëjnë si të fortë në Vorë, me ata zarat e vegjël, me ata zyrtarët e bashkisë Vorës e kushdo tjetër që është i përfshirë, të jetë i sigurt që Partia Demokratike ka një Departament të Rendit dhe të Sigurisë në qendër, e cila shërben edhe si “database” të dhënash dhe po mbledh e po përpunon  të dhënat e gjithsecili person do të mbajë përgjegjësi edhe ligjore, edhe penale; edhe sot, edhe pas një jave, edhe  pas një muaji, edhe pas një viti, edhe pas dy vjetësh, edhe pas 5 vjetësh. Për këtë të jenë të sigurt.

Ata kanë punën e tyre, ne kemi punën tonë. Partia Demokratike po bën një fushatë model, PD nuk ka dalë për të blerë vota, PD s’ka dalë për të blerë fushatë, PD ka dalë për të blerë hallet, kandidati ka dalë për të blerë hallet  e qytetarëve. Ata që po mundohen të blejnë votën, t’i bëjnë llogaritë mirë!

Kafe Shqeto: A ka një nervozizëm të shtuar për shkak të votimit elektronik, që nuk do të kenë mundësi për ndërhyrje të tjera?

Avenir Peka: Lëvizja është tek presioni, është dhe te blerja e votës dhe kam përshtypjen se ditën e zgjedhjeve do të ketë presion mbi qendrat e votimit. Por e thashë edhe njëherë: PD dhe kandidati i saj as nuk bën presion, as nuk ha presion; as nuk blen vota dhe as nuk shet vota.

Ata që bëjnë presion, të maten mirë. Ai që nuk bën presion, as nuk e ha presionin. Kështu që është e thjeshtë kjo punë, gjithsecili i bën llogaritë e veta, gjithsecili i di punët e veta. I këshilloj të mos i futen sherrit. PD do ta ruajë votën e vet. PD nuk do t’i bjerë violinës ditën e zgjedhjeve.  

PD do ta ruajë votën e vet. Qytetarët të jenë të sigurt që vota do të mblidhet vota, do të ruhet vota, do të numërohet dhe Indrit Hoxha do të jetë kryetari i ardhshëm i bashkisë së Vorës.

Kafe Shqeto: A është kjo një specifikë e asaj që po ndodh në Vorë apo e shohim një “modus operandi” të shtrirë edhe në bashki të tjera të Shqipërisë?

Avenir Peka: Kjo ndodh në të gjithë territorin. Pa frikë mund të them se po të mos ishte pjesa e manipulimit dhe e blerjes së votës, si presioni, patronazhistët e këta “skifterët” e lagjes, PD do të fitonte me 70% të territorit të republikës. Ajo që shohim, sidomos ditët e fundit, është se ka një tendencë të shtuar të rritjes së presionit ndaj zyrtarëve të administratës fillimisht, ndaj qytetarëve dhe ndaj shtresës në nevojë të popullsisë duke blerë votën e tyre; duke mbledhur karta dhe duke blerë votën e tyre.

Nuk është vetëm në Vorë. Në Vorë kanë shpërndarë ca, por këtë javë kanë filluar, sepse kjo është java e sulmit. Por nuk është vetëm në Vorë. Është në Tiranë, është në Kavajë me sa shoh unë, është në Kamzë. Është lek i madh, është lek droge, lek inceneratorësh, janë të gjitha llojet lekëve. Por sepse ky është mekanizmi që i ka ngelur Partisë Socialiste.

Unë që jam në terren, shoh edhe që socialistët me zemër nuk gjejnë dot diçka që të mbrojnë performancën e qeverisë. Marrim rastin e Vorës, se Vora në katër vjet ka ndryshuar pesë kryetarë bashkish. Nuk e marrin vesh kur vjen njeri e kur ikën tjetri dhe ky është si tip UFO, si kukull, që as nuk e dinë ku është, as nga ka ardhur, as nga shkon, as çfarë do të bëjë, as çfarë bën. Vetëm shkon aty në zyrë, firmos ca tendera për këta të fortët dhe kaq është.

Kafe Shqeto: Ajo që sillni në studio është panoramë e trishtë dhe denoncim i fortë. Megjithatë, a mund të neutralizojë efektin që kjo do të ketë, rezultati i 14 majit? Partia Demokratike, instancat ligjore apo SPAK? Apo do të ngelet gjithçka tek një raport i zi i OSBE/ODIHR dhe më pas një realitet me të cilin duhet të përshtatemi?

Avenir Peka: Mbrëmë, Policia e Vorës është njoftuar për përpjekjet e kandidatit socialist për të shpërndarë lekë. Ne i kemi instruktuar strukturat e PD për të mbledhur çdo të dhënë. Është detyrë e Policisë. Militantët e PD nuk bëjnë rolin e Policisë, as nuk dalin për të ndjekur makinat që shpërndajnë lekë.

Militantët e PD mbledhin votën e tyre dhe e çojnë votën në kuti. Do të mbrojnë votën e tyre. Nuk e hanë presionin. Policia e Shtetit duhet të jetë në krye të detyrës dhe çdo efektiv i Policisë së Shtetit, duke filluar nga drejtuesit më të lartë deri tek drejtuesit më të ulët  ose do të veprojnë, ose do të përballen me ligjin. Dhe të gjithë do të përballen me ligjin, pa përjashtim, siç po përballet kryetari në detyrë i bashkisë me ligjin, ashtu do të përballen edhe të tjerët. /ar.sh/SYRI.NET

Ndiqni intervistën e plotë në video të z. Avenir Peka në studion e Kafe Shqeto në SYRI TV.