Danimarka akuzon Rusinë për piratimin e e-maileve të një ministrie

 Ministri danez i Mbrojtjes dënoi qëndrimin shumë agresiv të Rusisë pas publikimit dje në mbrëmje të një raporti që fliste për piratimin e e-maileve nga një grup hakerash rusë akuzuar për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale amerikane.

“Kjo është pjesë e një lufte të vazhdueshme në këtë fushë (…), ku ne vërejmë një qëndrim shumë agresiv nga ana e Rusisë”, deklaroi për agjencinë e lajmeve “Ritzau” ministri i Mbrojtjes, Claus Hjort Frederiksen.

Sipas raportit të qendrës për sigurinë kibernetike, një grup hakerash rusë pro-Kremlinit kanë arritur të hyjnë në mesazhet elektronike të funksionarëve të Ministrisë së Mbrojtjes në vitet 2015-2016.

“E-mailet e piratuara nuk përmbajnë sekrete ushtarake, por kjo është shumë e rëndë”, theksoi ministri.

APT28, grupi i akuzuar në raport, lidhet me qeverinë ruse dhe u cilësua nga FBI dhe shërbimet e sigurisë së brendshme amerikane se qëndron pas aktiviteteve kibernetike kundër siteve qeveritare amerikane