SYRI TV/ Veliaj jep 32 mln euro për asfalt elektoral, 104 tendera në 2 muaj
Dy muajt e fundit para zgjedhjeve, kryetari aktual i bashkisë Tiranë, Erion Veliaj ka shpenzuar 32 milionë euro të taksave të qytetarëve për asfalt elektoral, duke nxituar të mbyllë punët e pabëra për zgjedhje. Jane 104 tendera për asfaltin, rehabilitim e rikualifikim. Këto tendera kanë afat njëmujor dhe përfundojnë para datës 14 maj
SYRI TV
Bashkia e Tiranës ka tenderuar mbi 32 milionë euro nga taksat e qytetarëve për asfalt elektoral në dy muajt e fundit para zgjedhjeve lokale.
Janë gjithsej 104 procedura tenderuese të përfunduara nga bashkia e drejtuar prej Erion Veliaj për asfaltim, rehabilitim, rikonstruksion dhe rikualifikim të rrugëve e rrugicave në cepa të ndryshëm të Tiranës.
Thuajse të gjithë kontratat për asfalt elektoral kanë afat 1-mujor dhe përfundojnë para 14 majit 2023, dita kur shqiptarët do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryebashkiakët e rinj.
Praktika e asfaltit elektoral është përdorur gjerësisht nga socialistët në pushtet gjatë fushatave zgjedhore për pushtetin qendror dhe vendor në vitet e fundit.
Por, fushata me asfalt elektoral e Erion Veliaj kësaj radhe ka tejkaluar çdo shpenzim të ngjashëm në zgjedhjet e kaluara, duke dhënë një sinjal të fortë që ai është më i pasigurt se kurrë për karrigen e kryebashkiakut.
Të dhënat zyrtare tregojnë se tenderat për asfaltim zënë shumicën absolute të procedurave të zhvilluara në dy muajt e fundit nga Veliaj. Janë plot 92 të tilla, me fond limit rreth 11 miliardë lekë të vjetra.
Ndërkohë, në periudhën shkurt-prill 2023 janë mbyllur 10 tendera për rikualifikim urban në rrugë e rrugica të ndryshme të kryeqytetit, me fond mbi 20 miliardë lekë të vjetra.
Gjithashtu, janë përfunduar së fundmi edhe dy procedura për rikonstruksion rrugësh, me fond mbi 2 miliardë lekë të vjetra. Të gjitha procedurat e asfaltit elektoral në Tiranë përllogariten në rreth 35 miliardë lekë të vjetra ose mbi 32 milionë euro, referuar kursit aktual të këmbimit.