Belind Këlliçi me Aleancën për mbrojtjen e TK: Veliaj betonizoi Tiranën. Teatri do rindërtohet siç ishte!

Kandidati i opozitës për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi zhvilloi një takim me përfaqësues të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, nga ku akuzoi Erion Veliajn për shembjen e Teatrit Kombëtar në maj të vitit 2020.

Në këtë shesh, në 17 Maj, në atë natë të tmerrshme ku është shembur Teatri Kombëtar në mënyrë të pabesë nga kryetari i bashkisë kam provuar për herë të parë shijen e prangave. Për hir të vërtetës nuk kam qenë vetëm unë, por dhjetëra qytetarë dhe artistë që janë arrestuar dhe goditur atë natë a thua se po goditeshin bandat kriminale, njerëz të korruptuar, trafikantë, persona që vjedhin çdo ditë buxhetin e qytetarëve dhe jo artistë dhe qytetarë që kishin dalë në mes të natës, në tre e gjysmë të natës në mbrojtje të një kauze qytetare.  

Belind Këlliçi kandidat për Tiranën

Këlliçi denoncoi edhe betonizimin që Veliaj i ka bërë Tiranës gjatë këtyre viteve. 

Në 8 vite ka dhënë 7.5 mln m2 beton, leje ndërtimi. Çfarë Erion Veliaj i ka bërë identitetit të qytetit është e pabesueshme, ka zhdukur memorien e qytetit. Ne sot jemi në zemër të kryeqytetit dhe ky kryeqytet çdo ditë që kalon i ngjan edhe më pak qytetit në të cilin jeni lindur dhe rritur shumica juaj.  

Belind Këlliçi kandidat për Tiranën

Kandidati i koalicionit "Bashkë Fitojmë" bëri me dije zotimet e tij sa i takon ndërtimit të Teatrit të Ri dhe trashëgimisë kulturore.

Që Teatri Kombëtar pas 14 Majit me Belind Këlliçin kryetar bashkie do të rindërtohet aty ku ishte dhe ashtu siç ishte. Do të rikthej zonën e mbrojtur të qendrës historike të Tiranës ashtu siç ishte deri para vitit 2018. Zotohem se do të ngre inspektoratin e trashëgimisë kulturore si një strukturë të posaçme dhe permanente të Bashkisë Tiranë me kompetenca të qarta dhe përcaktuese për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe të identitetit të qytetit të Tiranës. 

Belind Këlliçi kandidat për Tiranën

Gjatë takimit, anëtarët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar shprehën mbështetjen për Belind Këlliçin në garën e 14 majit.