‘Biden e shmangu kurorëzimin për shkak të pikëpamjeve anti-britanike’
Zonja e Parë e SHBA, Jill Biden mbërriti në Londër për të marrë pjesë në kurorëzimin e Mbretit Charles III. Por shumëkush po pyet se përse presidenti Joe Biden nuk i është bashkuar asaj.
Ish-këshilltari i kryeministres së ndjerë britanike, Margaret Thatcher, Nile Gardiner tha se mosprania e Joe Biden është pritur me shumë publicitet negativ në vendin e tij.
Duke folur për Fox News, ai tha se: “Më duhet të them se Biden shihet gjithnjë e më shumë nga publiku britanik si anti-britanik dhe është vënë nën kritika shumë të forta”.
Më shumë se 2 mijë të ftuar, shumica e të cilëve drejtues shtetesh, do jenë të pranishëm në ceremoninë e sotme.
Kurorëzimi i Mbretit Charles është i pari në 70 vite, pasi e ndjera Elizabeth ishte kurorëzuar në vitin 1953.
Shtëpia e Bardhë reagoi ndaj mungesës së Biden, duke thënë se asnjë president amerikan nuk ka marrë pjesë në shtatë kurorëzimet e monarkisë britanike që kur vendi shpalli pavarësinë në vitin 1776.
Por Gardiner tha se publiku dhe media britanike e konsiderojnë mungesën e tij si një mesazh të qëllimshëm politik.
“Qasja e tij e përgjithshme ndaj Britanisë së Madhe shihet si përçmuese, arrogante, tallëse dhe nënçmuese. Unë mendoj se ai nuk ka shumë kohë për Britaninë”.
“Ai është dikush me një histori të gjatë leksionesh ndaj Britanisë. Ai ishte shumë kundër Brexit dhe e filloi presidencën duke hequr bustin e Winston Churchill nga Zyra Ovale. Kështu që mendoj se Biden është dikush që e ka trajtuar Britaninë me një mungesë respekti. Sigurisht mospjesëmarrja e tij është kritikuar shumë, veçanërisht nga shtypi dhe një numër politikanësh konservatorë”.