Putini dëshiron të trazojë edhe kurorëzimin e mbretit Charles III

BILD

Diktatori rus, Vladimir Putin nuk është i ftuar në kurorëzimin e Mbretit Charles. Edhe pse ishte i pari që i uroi ngjitjen në fron, Charles e ka bërë të qartë se çfarë mendon për të, madje duke e krahasuar atë me udhëheqësin nazist Adolf Hitler.

A po planifikon Putini tani një hakmarrje? Pak përpara kurorëzimit të shekullit, ai ka dërguar flotën e tij bërthamore pranë ujërave britanike!

Pesë luftanije ruse, të shoqëruara nga dy anije ndihmëse, u shfaqën në ujërat e Britanisë së Madhe të enjten- të pajisura me raketa Kalibr për sulm tokësor me një rreze veprimi deri në 2400 kilometra. Kështu bën të ditur gazeta Sun.

Marina Mbretërore u përgjigj duke dërguar dje një anije luftarake për të ndjekur armadën ruse që lundronte rrezikshëm pranë Britanisë. Një fregatë e tipit 23, e pajisur me raketa anti-anije Harpoon, u drejtua për nga Deti i Veriut për të mbajtur nën mbikëqyrje luftanijet ruse.

Anijet ruse janë të afta të transportojnë armë bërthamore. Mund të merret me mend se përse po shfaqen tani: ndoshta është një demonstrim i fuqisë në kohën e duhur nga Putini.

I pazakontë është fakti se sipas ekspertit detar, HI Sutton, flotilja ruse kishte edhe një fregatë nga flota e Detit të Zi.

Në të njëjtën kohë, NATO po kryen një stërvitje të madhe me nëndetëse në brigjet e Norvegjisë. Marina Britanike, Norvegjia, Gjermania dhe SHBA kanë dërguar të gjitha nëndetëset vrastare luftarake si pjesë e kësaj stërvitje ushtarake të NATO-s, ku janë angazhuar edhe anije luftarake nga Danimarka, Franca, Islanda, Holanda, Polonia, Portugalia dhe Spanja.

Ky nuk është provokimi i parë i Putinit pranë brigjeve të Britanisë: në fillim të këtij viti, anijet e Marinës Britanike interceptuan një anije ruse që mbante raketat e reja hipersonike të pandalshme ‘Zircon’ të Putinit, të cilat thuhet se mund të udhëtojnë me shpejtësi 11 mijë kilometra në orë.