Mjekët dhe një pjesë e mashtrimit të Ramës për rritjen e pagave

"Miopi e mashtrim ndaj mjekëve të familjes e të përgjithshëm!"

Nga Tritan Shehu.

Vendimet e fundit të Qeverisë për pagat janë diskriminim për mjekët e linjës së parë të kujdesit parësor.

Në thelb kemi të bëjmë me një mashtrim të kamufluar për të gjithë personelin shëndetësor, larg asaj që duhet t’u paguhet atyre, edhe në krahasim me rajonin.

Midis kësaj, në të dy vendimet, 8 dhe 9, spikat trajtimi si të dorës së dytë, që u bëhet mjekëve të përgjithshëm dhe atyre të familjes.

Së pari, kjo është një vazhdimësi që ai personel, por dhe qytetarët po e paguajnë shtrenjtë.

Kjo mori pasoja tragjike gjatë pandemisë Covid, kur i gjithë kujdesi parësor jo vetëm u la i painvolvuar, por dhe i pambrojtur, i papajisur dhe i patrajnuar, gjë që na kushtoi shumë jetë mjekësh e mijëra jetë qytetarësh.

Sot ky diskriminim shtrihet në nivelin e pagave.

Së pari me vendimin 8, ndaheshin mjekët e familjes nga ata të përgjithshëm, kur ata bëjnë të njëjtën punë.

Kur është përgjegjësia e shtetit që krijon këto dy nivele apo që nuk ka konvertuar mjekët ekzistues të përgjithshëm në mjekë familjeje.

Ndërsa në vendimin nr. 9, që zëvendëson 8, diskriminimi zgjerohet edhe për mjekët e familjes ndaj specialiteteve të tjera, edhe të kujdesit parësor.

E pafalshme kjo, shkatërruese për sistemin shëndetësor, që duhet të ketë si bazë kujdesin parësor.

Mbasi kjo qeveri i ktheu mjekët e parësorit në drejtues “trafiku” të të sëmurëve, nënvleftëson e tallet me rolin e tyre esencial, tashti po i diskriminon edhe në nivelin e pagave, qoftë edhe përballë mjekëve të specialiteteve të tjera të atij sektori.

Këtu kemi të bëjmë jo vetëm me një injorancë përballë rolit e punës së tyre, por dhe me një pjesë të mashtrimit të Ramës për rritjen e pagave.