11 vite më parë, kur Altin Lala nderohej nga Hanover 96 si asnjë futbollist tjetër shqiptar

Më 5 maj 2012, 11 vite më parë, Altin Lala përshëndetej nga Hanover 96 si një legjendë në një stadium të mbushur plot. Ish-kapiteni i kombëtares shqiptare, si dhe i skuadrës gjermane, luajti ndeshjen e fundit ndaj Kaizerslautern dhe i gjithë stadiumi ishte në këmbë për të.

“1998-2012, Faleminderit Altin”, ishte mesazhi përmes koreografisë spektakolare për legjendën e Hanover 96, ndërkohë që 49 mijë tifozët e duartrokitën mesfushorin shtatshkurtër, shumë punëtor, që kishte dhënë gjithçka për klubin gjerman në 14 vite dhe pjesën më të madhe të kohës duke luajtur në Bundesligë.

Ajo lloj lamtumire nuk i është dhënë asnjë futbollisti tjetër shqiptar. Kur ndodh edhe nga një klub i huaj, është një një arsye më shumë për t’u mos u harruar. Lala, një kapiten në fushë dhe jashtë saj, si me Hanover 96 dhe me Kombëtaren kuqezi, e mbylli pas 181 ndeshjesh në Bundesligë.

E fundit ishte ndeshja më e bukur për të, edhe pse u aktivizua vetëm në minutën e 84-t. Ajo sfidë ishte shpërblimi i karrierës së tij të gjatë në Gjermani, shpagim për çdo pikë djerse që kishte hedhur në fushë në 14 vite me fanellën e Hanover 96. Hanoveri nuk e harron Altinin, e as Altini Hanoverin, sidomos çdo datë 5 maj.