​Ministri i Jashtëm i Italisë anulon udhëtimin në Paris për shkak të kritikave 'të papranueshme' ndaj Melonit

Ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani ka anuluar udhëtimin e tij në Paris pasi një ministër francez tha se kryeministrja Giorgia Meloni “është e paaftë të zgjidhë problemet e migracionit për të cilat ajo u zgjodh”.

Tajani  i konsideroi "të papranueshme" komentet e ministrit të Brendshëm francez që kritikonte politikën e migracionit të kryeministres italiane.

Italia kishte kërkuar sqarimin e komenteve të ministrit francez Gerald Darmanin në radion RMC ku fajësonte kryeministren italiane Giorgia Meloni për rritjen e numrit të emigrantëve, veçanërisht të të miturve, në kufirin franko-italian.

Darmanin i tha transmetuesit se Meloni "është e paaftë të zgjidhë problemet e migracionit për të cilat u zgjodh." Ai gjithashtu e akuzoi atë se "gënjente popullatën", një "ves" nga e djathta ekstreme.

Vërejtja ishte njëkohësisht një shigjetim ndaj Melonit dhe udhëheqëses së ekstremit të djathtë francez Marine Le Pen, duke vënë në dukje se Meloni u zgjodh nga "miqtë" e Le Pen.

Komentet e Darmanin erdhën ndërsa Tajani po përgatitej të shkonte për në Paris për t'u takuar me homologun e tij francez. Ministri i Jashtëm italian tha se “fendimet” e nisura nga ministri kundër qeverisë italiane nuk ishin në “frymën në të cilën duheshin përballur sfidat e përbashkëta europiane”.