Shefi i mercenarëve rusë të Wagner thotë se forcat e tij do të largohen nga Bakhmuti javën e ardshme
Yevgeny Prigozhin, udhëheqësi i forcës mercenare të Grupit Wagner të Rusisë, tha në një njoftim të papritur dhe dramatik të premten se forcat e tij do të largoheshin nga qyteti ukrainas i Bakhmutit, të cilin ata po përpiqeshin ta pushtonin që nga vera e kaluar.
Prigozhin tha se ata do të tërhiqen më 10 maj - duke i dhënë fund përfshirjes së tyre në betejën më të gjatë dhe më të përgjakshme të luftës - për shkak të humbjeve të mëdha dhe furnizimeve të pamjaftueshme të municioneve. Ai u kërkoi shefave të mbrojtjes që në vend të tyre të fusin trupa të rregullta të ushtrisë.
"Unë deklaroj në emër të luftëtarëve Wagner, në emër të komandës Wagner, se më 10 maj 2023, ne jemi të detyruar të transferojmë pozicionet në vendbanimin Bakhmut për në njësitë e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të tërheqim çka mbetur nga Wagner në kampet e logjistikës, për të lëpirë plagët tona”, tha Prigozhin në një deklaratë.
"Unë po i tërheq njësitë Wagner nga Bakhmuti sepse në mungesë të municioneve ato janë të destinuara të humbasin në mënyrë të pakuptimtë."
Wagner ka qenë në krye të përpjekjes së gjatë dhe të kushtueshme të Rusisë për të kapur Bakhmutin dhe Prigozhin tha tri javë më parë se njerëzit e tij kontrollonin më shumë se 80% të qytetit.
Por mbrojtësit ukrainas ia kanë dalë mbanë dhe Prigozhin ka shfryrë zemërimin në rritje ndaj asaj që ai e përshkruan si mungesë mbështetjeje nga struktura e mbrojtjes ruse.
Nuk ishte e qartë nëse deklarata e tij e fundit mund të merret me vlerë, pasi ai ka postuar shpesh komente impulsive në të kaluarën. Vetëm javën e kaluar ai tërhoqi një deklaratë që tha se e kishte bërë si “shaka”.
Më herët të premten ai u shfaq në një video i rrethuar nga dhjetëra kufoma që ai tha se ishin luftëtarë të Wagner, duke bërtitur dhe sharë ndaj ministrit të Mbrojtjes Sergei Shoigu dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm Valery Gerasimov. Ai tha se ata ishin fajtorë për humbjet e Wagner-it, sepse ata kishin vuajtur për municione.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se ai nuk mund të komentojë deklaratën e Prigozhin.