Adil Xhelili, kandidati i opozitës në Libohovë, intervistë në Kafe Shqeto
Z. Adil Xhelili, kandidati i koalicionit "Bashkë fitojmë" për bashkinë e Libohovës është ftuar për intervistë këtë mëngjes në emisionin 'Kafe Shqeto' në SYRI TV.
Kryetari i PD, Sali Berisha, i cili e prezantoi z. Xhelili si kandidat disa ditë më parë, u shpreh në nisje të fjalës së tij:
"Një përshëndetje të përzemërt për këtë takim të zjarrtë me të cilin ju dëshmoni se 14 maji do të jetë dita e fitores historike të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, dhe kandidatit tonë të shkëlqyer, birit të shkëlqyer të Libohovës. Qytetarit që mishëron virtytet më të arrira të banorëve të këtij qyteti dhe të kësaj bashkie. Njeriut punëtor, të përkushtuar që paraqiti sot para jush një program të shkëlqyer.
Kam nder të madh që paraqes sot te ju edhe njëherë kandidatin për qytetar të parë të Libohovës, z.Adil Xhelili. Dëgjova me interes të veçantë programin e tij, i cili buron nga dashuria e tij për Libohovën dhe qytetarët e saj. Buron nga vizioni i tij i shkëlqyer për t’ua kthyer këtë bashki qytetarëve. Për të qenë një shërbëtor kokëulur i secilit prej jush, por njëkohësisht një drejtues me vizion i kësaj bashkie e cila është njëlloj bizhuje margaritari në historinë e kombit për burrat e saj, për rolin që ka luajtur, për emrin që mbart shekull pas shekulli...
Këtu në Libohovë në këtë sallë dhe tek rrapi kam paraqitur shumë herë kandidatë për kryetarë bashkie, kandidatë për deputetë. Por kësaj here vij me kënaqësi të veçantë, se paraqes para jush kandidatin tuaj, kandidatin e votës suaj të lirë, kandidatin e dinjitetit tuaj. Dhe ky është standarti më i mirë demokratik, njëlloj siç vendosëm në vitin ’90 pluralizmin në Shqipëri, kësaj rradhe vendosëm pluralitetin në zgjedhje nga ju të kandidatëve për qytetarë të parë të bashkive të vendit.
Ndodh rëndomë që dy vëllezër, njëri të jetë në një parti, tjetri të jetë në një parti tjetër. Ndodh, dhe ka ndodhur edhe me ne. Ishte kryetar i PD, të shoqen e kishte anëtare të partisë tjetër. Këto janë për njerëzit e emancipuar gjëra normale. Por tani dua të them dy fjalë këtu.
Z.Xhelili vjen para jush dhe para qytetarëve të Libohovës në një proces dinjitoz, me një proces të hapur. Ka dalë para jush dhe ju ka kërkuar besimin, ju ka kërkuar votën, ju ka shprehur mendimet. Ai kandidati tjetër, vjen para jush as më pas e as më shumë, sesa kandidat i ndrikull Kumbaros, “ndrikull sherrit”.
Absolutisht, do t’i qendroja fjalës së parë që edhe vëllezërit të jenë në parti të ndryshme, por tani dallimi bëhet si nata me ditën, sepse zotëria që garon për rilindjen nuk ka marrë asnjë votë nga asnjë socialist. Është promovuar dhe kandiduar nga ndrikulla e cila po të kishte një mbiemër të dytë do të mund të quhej Mirela Sherri. Po të kishte një mbiemër të dytë do mund të quhej Mirela Korrupsioni...
Më 14 maj, duke votuar Adil Xhelilin, ju keni votuar ndryshimin. Duke votuar bashkimin për fitore, ju keni votuar ndryshimin. Ju keni votuar që pasuritë tuaja përrallore të shndërrohen në mirësi, në të ardhura për ju." tha më tej z. Berisha.