Më e larta në 16 vite, Banka Qendrore e SHBA rrit sërish normën e interesit

Në një tentativë për të stabilizuar çmimet e larta, Banka Qendrore e SHBA vendosi të rrisë normën e interesit në nivelin më të lartë në 16 vjetët e fundit.

Për të 10-ën herë në 14 muajt, Rezerva Federale rriti normën bazë të interesit me 0.25 për qind.

Sipas mediave perëndimore, këto vendime i kanë rritur ndjeshëm kostot e huamarrjes në vendin me ekonominë më të fuqishme në botë, duke shkaktuar ngërçe në disa sektorë si dhe që çuan drejt falimentimit të tre bankave amerikane.

Banka Qendrore e SHBA-së filloi t’i rrisë në mënyrë të ndjeshme normat e interesit vitin e kaluar kur çmimet në SHBA po rriteshin me ritmin më të shpejtë në dekada.

Normat më të larta të interesit e bëjnë më të shtrenjtë blerjen e një shtëpie, huamarrjen për të zgjeruar biznesin ose për të marrë borxhe të tjera. Duke rritur këto kosto, zyrtarët presin që kërkesa të bjerë dhe çmimet të stabilizohen.