VIDEO/ Belind Këlliçi prezanton spotin elektoral: Do të punoj për ta bërë Tiranën një qytet të jetueshëm!

Kandidati i koalicionit opozitar "Bashkë Fitojmë" për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, ka prezantuar spotin elektoral për zgjedhjet e 14 Majit. 

Ai i është drejtuar qytetarëve përmes një mesazhi ku thekson se vjen nga një familje e thjeshtë tiranase. Pas studimeve në SHBA, Belindi thotë se vendosi të kthehej pranë familjes, në qytetin ku lindi dhe u rrit, në Tiranë. 

Angazhimi në politikë si kryetar i FRPD dhe më pas deputet i Qarkut të Tiranës ishin bindja për Belind Këlliçin se ndryshimi vjen nga dëshira e mirë dhe veprimi. 

Sfida të cilat kultivuan te Këlliçi guximin për t'i dalë zot problemeve që ka sot Tirana nga trafiku i rënduar, çmimet e papërballueshme, kostot e transportit urban apo edhe betonizmi që është gjithashtu një problem thelbësor.  

Thirrja e Belind Këlliçit është për të gjithë qytetarët e Tiranës, përtej dallimeve partiake, që në 14 Maj të votojnë alternativën që zotohet për ta bërë Tiranën të jetueshme.  

Mesazhi i Belind Këlliçit
"Unë jam Belind Këlliçi. Vij nga një familje e thjeshtë si shumica e familjeve shqiptare. Pas përfundimit të Universitetit në Amerikë vendosa të kthehem pranë familjes, të kthehem në qytetin tim ku u linda dhe u rrita, në Tiranë. Gjithmonë kam besuar se ndryshimi vjen nga dëshira e mirë dhe veprimi. E me këtë bindje garova për kreun e FRPD-së e më pas u zgjodha deputet. Unë sot jam njëri prej jush. Edhe unë e ndjej se jeta në Tiranë sa vjen e shtrenjtohet, trafiku bëhet gjithnjë e më i lodhshëm dhe ajri gjithnjë e më i ndotur. Fëmijët shkojnë në shkolla me turne, uji nuk është i pijshëm e syri të sheh vetëm beton. Nuk ka rëndësi se nga vijmë, jemi të djathtë apo të majtë, të gjithë meritojmë shërbime cilësore, çmime të përballueshme dhe transport publik falas e të sigurt. Unë do të jem në krye të një bashkie që do të punojë për të gjithë e që do ta bëjë Tiranën një qytet të jetueshëm. Unë do ta vendos Tiranën aty ku e ka vendin, në duart tuaja"!