Zgjedhjet alla Putin në një vend anëtar të NATO dhe kandidat për BE
Nga Ersi Nishani/
Zgjedhjet në Shqiperinë pluraliste kanë qenë të njollosura nga shit-blerja e votës, presioni mbi administratën dhe manovra të tjera meskine me qëllim tjetërsimin e votës.
Në 32 vjet politika dhe shoqëria shqiptare ka dështuar të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme siç i ka hije një vendi evropian. Megjithatë nuk kanë munguar reformat bipartizane, e fundit në 2008, kur Sali Berisha (nga pozicioni i pushtetit) i zgjati dorën Edi Ramës (në opozitë) të hartonin një ligj zgjedhor sipas dëshirës dhe nevojës së opozitës, pasi këta të fundit mbanin peng anëtarësimin në NATO dhe BE dhe kërcënonin me moshyrje në zgjedhje.
Edi Rama është protagonist i politikës Shqiptare për plot 23 vjet. Në 23 vjet ai ka ndjekur të njëjtën strategji – masakrimin e zgjedhjeve dhe lirisë së votës ne Shqipëri. Kujtojmë këtu krizën e certifikatave në 2007, blerjen e votës në Dibër në 2017 etj.
Pas ardhjes në pushtet në 2013 Edi Rama punoi fort në mënyrë të njëanshme në ndryshimin e hartës zgjedhore për zgjedhjet vendore. Ky ishte shembull i qartë, që besimi i Edi Ramës të votuesit socialist ishte aq i ulet, saqe 1 vit pas ardhjes në pushtet me rezultat të thellë Edi Rama po bente çdo gjë në mënyrë që të manipulonte zgjedhjet.
Në 2015 harta u deformua në një mënyrë të frikshme që i jepte në tavolinë PS gjysmën e bashkive dhe i jepte avantazh asaj në pjesën e mbetur. E ashtëquajtura „Reforma territoriale“ prodhoi një rezultat të shtrembër, që nuk ruante balancat e pushtetit.
Në 2019 kur opozita tentoi të njëjtën strategji si Rama në 2008 dhe kërcënoi me mosfutjen në zgjedhje, Rama këtë rradhë nga pozicioni i të fortit në pushtet jo vetëm injoroi kërkesat e opozitës, por vendosi të futet në zgjedhje i vetëm dhe „mbajti peng“ të gjitha bashkitë e vendit dhe keshillat bashkiakë në kundërshtim të plotë me parimet e pluralizmit dhe demorkacisë, që janë themel i çdo vendi të NATO dhe kandidat për Bashkimin Europian.
Në 2021 Edi Rama vendosi përsëri në mënyrë të njëaneshme, ndërsa opozita bojkotonte kuvendin, të ndryshonte kodin zgjedhor të cilin e kishte hartuar vetë në 2008 duke hequr koalicionet dhe detyruar partitë opozitare të garonin të vetme. Koalicionet që sollën Ramën në pushtet në 2013 tashmë rrezikonin pushtetin e tij absolut. Një analizë post-zgjedhore e thjeshtë tregon se një opozitë e bashkuar nën një koalicion në 2021 do të sillte rotacionin e pushtetit.
Ne 1 prill 2023 Shqiperia shenoi 14 vjet anetare e NATO.
Sot kanë kaluar plot 14 vjet nga aplikimi zyrtar për anetaresim në BE.
Sot Edi Rama gëzon pushtet absolut mbi 60 kryetarë bashkish të emëruar si guvernatorët e Putin në Federatën Ruse dhe keshilla bashkiakë monopartiak që dhe partia e Putin do i kishte zili.
Sot në Shqiperinë anëtare e NATO dhe kandidate për BE, partia në pushtet zotëron pushtet absolut në qeveri, administratë shtetërore, shkolla dhe spitale; me tentakulat e tejzgjatura në pushtetin gjyqesor; KQZ në xhep, hartën zgjedhore sipas qejfit dhe kodin zgjedhor sipas avazit. Liria e mediave është në pikiatë dhe presioni mbi gazetarët (ata pa rrogë fikse mujore) është më i larte se kurrë.
Sot në Shqiperinë anëtare e NATO dhe kandidatë për BE, partia më e madhe e opozitës dhe alternativa e vetme reale për rotacion pushteti nuk lejohet të garojë nën siglën e saj, nuk i lejohet të vendosë në fletën e votimit emrin e propozuar prej saj si drejtues politik, nuk i alokohen fondet publike apo koha televizive në përputhje me ligjin.
Sot në Shqipërinë anëtare e NATO dhe kandidate për BE, opozita e vertetë dhe alternative e vetme për rotacion pushteti ka vetëm 12% të numëruesve në zonat zgjedhore nga 50% që i takojnë sipas ligjit.
Sot në Shqipërinë anëtare e NATO dhe kandidate për BE, zgjedhjet bëhen sipas modelit të Putin, por shqetësimet e votuesve të opozitës (të cilët konstituojnë të paktën gjysmën e shqiptareve qe jetojnë ne vend dhe të paktën gjysmën e atyre qindra mijerave Shqiptarë, që jetojnë në vende të NATO dhe BE) bien në vesh të shurdhër.
Sot në Shqipëri, ka ardhur koha që Shqiptarët të marrin në dorë fatin e tyre, të fëmijëve të tyre që po largohen në masë, të nipërve dhe mbesave që po rriten larg shtëpisë dhe familjes! Shqiptarët në këto zgjedhje do të refuzojnë modelin putinist të Ramës! Vetëm me votë mund të ngrejmë zerin tonë brenda dhe jashtë vendit kundër regjimit!