VIDEO/ Administrata vihet rresht në takimet elektorale të Ramës, vëzhgimi i SYRI TV në Korçë
Administrata po përdoret në fushatën e zgjedhjeve të 14 majit nga socialistët. Një vëzhgim të bërë nga Syri TV në Korçë ku një ditë më parë ishte kryeministri Edi Rama, përveç rrugëve të boshatisura, qendrat shëndetësore ishin të mbylluara brenda orarit zyrtar. Por edhe nxënësit kanë lënë orën e mësimit dhe i janë bashkuar takimit elektoral të kreut të qeverisë.
SYRI TV
Teksa sondazhet tregojnë se kreu i qeverisë Edi Rama dhe kandidatët e tij për bashkitë janë braktisur nga qytetarët, pjesëmarrja e qytetarëve në takimet elektorale po sigurohet me punonjës të administratës. Një situatë e tillë ka ndodhur një ditë më parë në Korçë, ku punonjësit e administratës publike janë thirrur në takimin elektoral të Edi Ramës në bashkinë e Korçës.
Jo vetëm rrugë të boshatisura, por edhe qendrat shëndetësore dhe ambulancat e lagjes kanë qenë të mbyllura. Asnjë punonjëse, infermier, mjeke apo pjesë të administratës nuk kanë qenë ditën e martë ne punë. Çdo qendre shëndetësore dhe ambulance lagje i është vendosur dryni. Syri Televizion bëri një vëzhgim në disa nga qendrat shëndetësore të qytetit, të cilat edhe pse do të duhej të qëndronin të hapura deri në orën 19:00 të mbrëmjes, janë mbyllur para orës 17:00.
Burime bëjnë me dije, se mjekëve dhe infermierëve të qendrave shëndetësore u është kërkuar të marrin pjesë në takimin elektoral të kryeministrit Edi Rama, i cili u zhvillua në orën 19 në Korçë. Të njëjtat burime tregojnë se mjekëve dhe infermierëve u është bërë presion edhe me largim nga puna, nëse nuk do të ndjekin aktivitetet elektorale. Në rrugët e qytetit ka pasur postblloqe policie dhe ndalim-kalimi qofte për makinat, por edhe këmbësorët në zonat ku qëndronte Rama. Madje mësohet se në Qendra Sportive janë detyruar nxënës të shkollave të mesme të jenë në takim. Një pjesë e tyre janë larguar nga mësimi pa mbaruar procesi mësimor. E gjithë Korça ka qenë në gjendje alarmi që dje në mesdite e deri kur është larguar kryeministri Edi Rama.
Përdorimi i administratës publike për qëllime elektorale, është duke u përdorur nga të gjithë kandidatët socialistë për bashkitë e vendit. Pak ditë më parë, Erion Veliaj në Tiranë, pranoi hapur se në takimin e tij elektoral në zonën e Unazës së Re, kishte të pranishëm mësues dhe infermierë, ndonëse takimi ishte duke u zhvilluar në orarin zyrtar të punës.