Shqiptari kapet me 20 kg kokainë në Itali, zbulohet laborator droge

20 kilogramë kokainë janë sekuestruar në Siena të Italisë nga Guardia di Finanza. Në pranga kanë rënë dy persona.

Sipas mediave, droga ishte fshehur në makinë e një shqiptari, i cili banon në Val d’Elsa. Ai ka marrë vëmendjen e patrullave të policisë pasi u kthye në një rrugë dytësore me shpejtësi.

Në fakt, shqiptari kishte qenë prej disa kohësh nën vëzhgimin e autoriteteve. Ata e ndoqën shqiptarin deri në oborrin e një shtëpie.

Nga kontrolli i makinës u bë i mundur zbulimi i 20 kilogramëve kokainë. Po ashtu, u arrestua edhe një italian i cili ishte personi që jetonte në fermë.

Nga kontrolli i banesës u zbulua në fakt një laborator droge. Aty kishte lëndë të tjera për prerjen e drogës, kokainë dhe hashash. Sipas mediave, dy të arrestuarit akuzohen për trafik droge.

Atyre iu sekuestruan edhe telefonat, disa prej të cilëve të koduar. Aty dyshohet se ka mesazhe për shpërndarjen e drogës. Në sekuestro u vu edhe makina.