E thotë legjenda e zikaltërve: Interi duhet t’i besojë Kristjan Asllanit

Në një koment të tij, mbrojtësi legjendar i Interit dhe i Italisë, Giuseppe Bergomi, ka këshilluar zikaltrit që t’i besojnë mesfushorit shqiptar, Kristjan Asllani.

Bergomi në komentin e tij shkruan: “Interi ka qenë kompakt në ndeshjen ndaj Lazios dhe kjo është një nga gjërat më të rëndësishme për një skuadër. Zikaltrit ishin të qetë edhe në momentet më të vështira dhe i menaxhuan si duhet.

Dy muaj më parë do ta kishin humbur një ndeshje të tillë, këtë herë ishin të qetë, të bindur në atë që po bënin dhe përveç kësaj treguan edhe shumë durim. Po tregojnë që kanë gjetur forcën psikologjike dhe mund të përballojnë fare mirë presionin.

U vendosën në vështirësi nga një gabim i Francesco Acerbit, por që është i vetmi që nuk ka pushuar fare dhe ka bërë një sezon shumë të bukur. Pastaj qëndruan në lojë për 77 minuta përballë një Lazio që duhet thënë është shumë e fortë dhe nuk është rastësisht e dyta në renditje.

Padyshim që për rezultatin ndaj bardhekaltërve duhet t’i japim meritat edhe Simone Inzaghit, që ishte i guximshëm në zgjedhjet e tij. Pati kurajën të ulte në stol Lautaron për ta pasur të freskët më vonë dhe aktivizoi Korrean, një zgjedhje që mund të kushtëzonte ndeshjen. Interi është mirë edhe fizikisht, të kesh në sulm katër lojtarë që të lejojnë të bësh rrotacion është diçka thelbësore për një trajner, mbi të gjitha në një periudhë të tillë që do të vendosë shumë nga fati i sezonit. Vëmendja nuk mund të zhvendoset nga derbi me Milanin në Champions League, është e pashmangshme. Interi dhe Inzagi duhet të veprojnë si kanë vepruar deri më tani për ta përgatitur.

Kanë ndryshuar 9 lojtarë ndaj Empolit, pastaj edhe ndaj Juves e më pak ndaj Lazios, por forcat duhet të rikuperohen. Krahasuar me Milanin kanë kalendarë të ndryshëm. Interi do të ketë dy ndeshje brenda dhe katër jashtë, kurse Milani katër do t’i luajë në shtëpi. Çdo skuadër ka dinjitetin e saj dhe asnjëra nuk do të dorëzohet, por është më mirë ta luash këtë gjysmëfinale, se të eliminohesh më herët.

Milani para ndeshjes me Napolin në Bolonja ka ndryshuar gjithë formacionin dhe Interi, edhe pse duket më mirë fizikisht, duhet të ketë sërish kurajën të shkojë në transfertën e Veronës me një rrotacion të thellë, nëse do që të jetë në formën ideale në prag të Champions-it.

Unë do t’u besoja lojtarëve si Kristjan Asllani për Veronën të mërkurën. Për Interin çdo ndeshje është më e rëndësishme se ajo e kaluara dhe gabimet nuk u lejohen më. Duhet dhënë gjithçka në fushë, pastaj nëse humbet sepse kundërshtari është më i mirë, i shtrëngoj dorën”.