Xhaka optimist: Ende besoj se mund ta fitojmë titullin në Premierligë
Derbi i madh i Londrës i ka takuar Arsenalit, i cili mposhti Chelsean, në takimin që i takoi xhiros së 34-të në Premierligë.
“Topçinjtë” triumfuan 3-1 kundër rivalëve londinez në stadiumin “Emirates”.
Futbollisti që shkëlqeu me tri asistime në këtë sfidë, Granit Xhaka, pas ndeshjes foli rreth fitores.
Ai u pyet edhe për gjasat e Arsenalit për titull të kampionit, pavarësisht se City ka avantazhin në këtë garë.
“Mendoj se i merituam tre pikët. Unë mendoj se po. Ende besoj se është e mundur ta fitojmë titullin”, tha Xhaka për "Sky Sport".
Arsenali me këtë fitore rikthehet në vendin e parë me 78 pikë, dy më shumë se Manchester City që ka dy ndeshje më pak të zhvilluara.
Chelsea mbetet i 12-ti me 39 pikë të grumbulluara gjithsej.