‘Mish për top’/ A i humbi Rusia 100 mijë ushtarë vetëm në Bakhmut?

BILD

Që prej shtatorit të vitit 2022, në qytetin Bakhmut luftohet ashpër. Ukrainasit ende kontrollojnë një pjesë të qytetit, ndërsa rusët duket se po paguajnë një çmim pabesueshmërisht të lartë në gjak.

Sipas vlerësimeve të reja të shërbimeve të inteligjencës amerikane, rusët kanë humbur rreth 100 mijë ushtarë dhe mercenarë nga vdekja ose plagët në betejën e Bakhmut-it gjatë pesë muajve të fundit.

Rreth 20 mijë ushtarë janë vrarë, gjysma e tyre si anëtarë të grupit ‘Wagner’, tha zëdhënësi i sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.

Kirby e përshkruan ofensivën ruse në Bakhmut si një dështim.

Shumica e të vrarëve janë të dënuar rusë, që ishin dërguar në luftë pa trajnimin e nevojshëm ushtarak.

Fjala cinike ‘mish për top’ u bë një realitet mizor në Bakhmut, pasi rusët i dërgonin vazhdimisht ushtarët e tyre në valë njerëzore drejt pozicioneve ukrainase për t’i demaskuar dhe më pas për t’i sulmuar me artileri. Një taktikë, të cilës nuk i mbijetuan shumë luftëtarë.

Vetëm pak ditë më parë, shefi i Wagner, Prigozhin foli për 1 mijë ushtarë rusë të vrarë çdo ditë dhe kërcënoi se do të tërhiqte trupat e tij nga Bakhmut-i. Për shkak të mungesës së municioneve, humbjet janë pesë herë më të larta se sa duhet.

Kirby nuk dha informacione për numrin e viktimave nga forcat e armatosura ukrainase. Ajo që është e qartë megjithatë është se edhe numri i viktimave nga pala mbrojtëse është gjithashtu i lartë, edhe nëse nuk i arrin përmasat e humbjeve ruse.

Kirby tha se vlera strategjike e pushtimit të Bakhmut-it nga Rusia ishte ‘e vogël’. Një veprim i tillë nuk do të ndryshojë rrjedhën e luftës në Ukrainë në favor të Rusisë. “Për Rusinë, këto përpjekje, veçanërisht në Bakhmut, kanë një çmim shumë, shumë të lartë,” tha Kirby.

Stoqet ruse të trupave dhe armëve janë shteruar, kurse mbrojtja e Ukrainës në zonat përreth Bakhmut-it mbetet e fortë.