Blinken gënjeu para Kongresit/ Analisti: Nuk ka akuzë më serioze
Senatori amerikan, Ron Johnson, bëri një deklaratë të fortë kur tha se Sekretari i Shtetit, Antony Blinken gënjeu hapur Kongresin e SHBA kur tha se nuk ka pasur kontakte me Hunter Biden, djalin e diskredituar të presidentit amerikan.
Blinken ishte nën betim, çka e bën shumë të rëndë situatën.
Analisti Jonathan Turley deklaroi për Fox News se nuk ka asgjë më të rëndë se kjo.
“Kjo është shumë serioze. Është krim të gënjesh Kongresin. Ai e bëri këtë teksa ishte në rrugën për t’u bërë anëtar i kabinetit. Pra nuk mund të kishte asgjë më të rëndë se një shkelje e tillë, e cila është një krim federal. Ne do të shohim se sa do e ndjekë Johnson këtë çështje. Por ai dukej mjaft i sigurt se kjo ishte një deklaratë e rremë e bërë në Kongres nga Sekretari Blinken,” tha analisti.
Senatori republikan, Ron Johnson akuzoi Sekretarin e Shtetit, se gënjeu hapur kur dëshmoi nën betim në Kongres në vitin 2020 se ai nuk kishte dërguar kurrë email për Hunter Biden.
Johnson i bëri komentet për Fox News pasi emailet e Hunter Biden dhe Antony Blinken zbuluan se të dy ishin në komunikim në vitin 2015, në kohën kur Blinken punonte për presidentin e atëhershëm, Barack Obama dhe Hunter Biden ishte në bordin e firmës ukrainase të energjisë Burisma.
“Ne e dimë se ai gënjeu hapur Kongresin se nuk i kishte dërguar kurrë email për Hunter Biden. Mendoj se ai tha një mori gënjeshtrash të tjera,” tha Johnson.
Emailet e verës së vitit 2015 tregojnë se Hunter kontaktonte me Blinken për të marrë ‘këshillat’ e tij për disa gjëra.
Johnson u bëri thirrje kolegëve të tij ligjvënës që të lëshojnë një fletëthirrje për Blinken dhe gruan e tij, Evan Ryan, që të dëshmojnë sërish përpara Kongresit pasi kanë shkelur ligjin duke gënjyer në dhjetor të vitit 2020.