SYRI TV/ Pr/ligj i ri për shtetësinë shqiptare, lehtësohen kriteret për shtetasit e huaj
Teksa vendi po boshatiset nga shqiptarët të cilët ikin në emigrim, qeveria shqiptare po lehtëson procedurat për shtetasit e huaj që duan të marrin shtetësinë shqiptare. Qeveria "Rama" ka propozuar një ndryshim të ligjit të dhënies së shtetësisë, duke hequr kriterin e gjuhës shqipe për shtetasit e huaj, nëse ata lindin një fëmijë në Shqipëri.
Syri Tv
Teksa vendi ynë po shkon drejt shpopullimit për shkak të largimit të shqiptarëve prej kushteve të këqija jetese, qeveria e Edi Ramës ka propozuar një projektligj që lehtëson shtetasit e huaj të marrin nënshtetësinë shqiptare.
Qeveria pritet të amendojë ligjin e vitit 2020 për dhënien e shtetësisë shqiptare, dhe ka propozuar në Kuvend disa ndryshime ku parashikon heqjen e disa kritereve, një ndër to është heqja e gjuhës shqipe.
Pra, shtetasit e huajt nuk e kanë me kriter të mësojnë të flasin shqip për të marrë shtetësinë shqiptare.
Sipas projektligjit të ri, ata do të quhen edhe shtetas shqiptarë, sapo të kenë lindur fëmijë në vendin tonë dhe të kenë patur një qëndrim të rregullt per 3 vite në Shqiperi.
Një fëmijë i lindur brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, nga prindër me shtetësi tjetër, të cilët qëndrojnë në mënyrë të ligjshme në territorin e Republikës së Shqipërisë, mund të marrë shtetësi shqiptare me pëlqimin e të dy prindërve.
Pasi fëmija ka marrë shtetësinë shqiptare falë kësaj procedure të thjeshtuar, projektligji i propozuar nga Qeveria parashikon edhe për prindërit e tij mundësinë që të përfitojnë pasaportën e Republikës së Shqipërisë.