'Shqetësim rënia e fuqisë blerëse', Bedri Hoxha viziton tregun e Klosit: Do ndërtojmë pazarin e ri!

Kandidati i koalicionit opozitar "Bashkë Fitojmë" për bashkinë e Klosit, Bedri Hoxha vijon takimet me qytetarët.

Hoxha ka ndarë në rrejtin e tij social 'Facebook' disa momente nga takimi me tregtarët në tregun e qytetit të Klosit.

Në këtë takim, Hoxha iu premtoi qytetarëve se do të ndërtojë tregun e ri dhe do krijojë kushtet për vendosjen në funksion të pazarit të mishit.

"Dikur Pazari i Klosit shquhej për prodhimet e tij bio dhe njerëz nga i gjithë vendi vizitonin ketë treg, i cili sot rrezikon të mbyllet për shkak të mungesës së fuqisë blerëse.

Një ndër faktorët kryesorë që kanë ndikuar për të arritur në këtë pikë është mbyllja e pazarit të mishit. Programi ynë parashikon që të ndërtojmë tregun e ri të qytetit të Klosit me kushte bashkëkohore. Krijimin e kushteve për vendosjen në funksion përsëri të pazarit të mishit. Reklamimin e produkteve bio të zonës për tërheqjen e fuqisë blerëse. Mbështetjen e fermerëve përmes subvencioneve nga buxheti i bashkisë", ishin disa nga premtimet e Bedri Hoxhës.