Humbja e qeverisë nga situata e euros, Danaj: Më pak të punësuar janë më pak taksapagues
Eksperti i ekonomisë Violdi Danaj është shprehur se rënia drastike e euros në kursin e këmbimit me lekun shqiptar ka krijuar një situatë alarmane në vend.
I ftuar në “Task Force” me Sonila Meçon në Syri Tv, Danaj shprehet se nga ky rast shteti shënon fitim nga ana e borxhit publik dhe humbje sa i përket sigurimeve shoqërore, më pak të punësuar, më pak taksapagues.
“Jo alarmante, por kjo është të vësh duart në kokë sepse tregon situtën mjerane që kemi në ekonominë kombëtare sepse çdo shtet, çdo ekonomi kërkon që të fuqizohet duke eksportuar. Me këto lloj situatash ne po e dëmtojmë vendin qoftë në krahun e punës sepse këto kompani që po eksportojnë kanë humbje nga ky kurs këmbimi dhe nga kjo kanë nevojë për më pak punonjës sepse nuk do ti paguajnë dot dhe si rrjedhojë do detyrohen të reduktojnë dhe prodhimet e tyre të eksportit. Nga ana tjetër do ketë edhe më pak të ardhura në bankat e shtetit, sepse edhe vet shteti në këtë rast nuk përfiton.
Me rënien e euros shteti edhe përfiton edhe humbet. Përfiton përsa i përket borxhit publik sepse kostoja e borxhit publik është më e lirë dhe përfitojnë nga kursi i këmbimit. Ne kemi diku tek 47% të borxhit publik në monedhë të huaj dhe këtu shteti nuk po ndihet, është në interes. Nga ana tjetër shteti humbet sepse sa më pak të punësuar do të thotë më pak njerëz që do të paguajnë sigurimet shoqërore dhe kjo ndikon tek skema e pensioneve, më pak të punësuar dhe më pak biznese, do paguhen më pak taksa dhe detyrime ndaj shtetit. Arka e shtetit do fillojnë të ndjejë rënie.”