‘Dibra ndodhet në sistem kolapsi’, Ismail Uka: Në 8 vite, Rilindja shkëputi marrëdhëniet me qytetarët

Kandidati i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për Bashkinë e Dibrës, Ismail Uka ka deklaruar se Dibra aktualisht ndodhet në një sistem kolapsi.

I ftuar në edicionin e pasdites me moderatoren Armela Ferko, Uka tregon se në këto 8 vite të qeverisjes së rilindjes është shkëputur totalisht marrëdhënia mes qytetarëve dhe pushtetit vendor duke e lënë qytetin e Dibrës të ndeshet me një sërë problematikash të rënda.

“Dibra është një ndër bashkitë me nivelin më të ulët ekonomik në nivel kombëtar, nga 61 bashkitë. Trashëgohen një sërë problematikash të cilat lidhen që nga e kaluara por veçanërisht me keqqeverisjen dhe keqmenaxhimin e qeverisjes vendore nga rilindja në këto tetë vite.  Konkretisht rezulton se Bashkia Dibër trashëgon një infrastrukturë shumë të dobët ku njësia administrative akoma e vuajnë sindromën e kanalizimeve të rrugëve, mungesën e ujit të pijshëm por ajo çka është për tu theksuar është fakti se me reformën administrative e cila u trajtua nga ana e qeverisë si një reformë që do të sillte më afër shërbimin ndaj qytetarëve dhe do të klishte më pak shpenzime, në fakt ishte një dështim shumë i madh. Unë po sjell në vëmendjen tuaj se sot Bashkia Dibër ndodhet totalisht në një sistem kolapsi përsa i përket mënyrës së ofrimit të shërbimit ndaj qytetarëve ashtu edhe përsa i përket buxhetit të saj. Është shkëputur kontakti midis qytetarëve dhe bashkisë. Sot unë po ju them se qytetarët ka vitë në këto 8-të vite që se kanë ndjerë ushtrimin  e pushtetit vendor, nuk ekziston një marrëdhënie e tillë”, tha ai.