I dërguari i OKB thotë se palët ndërluftuese në Sudan po bien dakord të negociojnë
Gjeneralët ndërluftues të Sudanit kanë rënë dakord të dërgojnë përfaqësues për negociata, me shumë mundësi në Arabinë Saudite, tha zyrtari më i lartë i Kombeve të Bashkuara në vend për Associated Press të hënën, edhe pse të dy palët u përleshën në kryeqytet, pavarësisht nga zgjatja treditore e e një armëpushimi të brishtë.
Bisedimet fillimisht do të fokusohen në vendosjen e një armëpushimi "të qëndrueshëm dhe të besueshëm" të monitoruar nga vëzhguesit "kombëtarë dhe ndërkombëtarë", tha Volker Perthes.
Një varg armëpushimesh të përkohshme gjatë javës së kaluar i kanë de-përshkallëzuar luftimet vetëm në disa zona, ndërsa në të tjera, betejat e ashpra kanë vazhduar të dëbojnë civilët nga shtëpitë e tyre dhe ta shtyjnë vendin në një krizë humanitare.
Perthes paralajmëroi se logjistika për bisedimet ishte ende duke u përpunuar. Deri më tani, vetëm ushtria ka njoftuar se është e gatshme të bashkohet me negociatat, pa asnjë fjalë publike nga kundërshtari i saj, Forcat paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë.
Çdo bisedim do të ishte shenja e parë e madhe e përparimit që nga shpërthimi i luftimeve më 15 prill midis ushtrisë, të udhëhequr nga gjenerali Abdel Fattah Burhan dhe RSF-së, të udhëhequr nga gjenerali Mohammed Hamdan Dagalo. Rreth 530 njerëz, përfshirë civilë dhe luftëtarë, janë vrarë që atëherë, me 4,500 të tjerë të plagosur, tha Ministria sudaneze e Shëndetësisë.