Zhgënjimi dhe trishtimi i Edi Ramës, ‘për një lule që nuk u këput’

Edi Rama është i zhgënjyer dhe i trishtuar. Nuk ka çfarë të nxjerrë në televizionin e tij ERTV pas protestës. Edhe mediat e vëna hapur në shërbim të tij, kanë shpallur zi. Çfarë proteste ishte kjo?! Asnjë incident, pa goma të djegura dhe gurë në mes të rrugëve, asnjë lule e këputur! Vetëm policë që u larguan me fotografinë e popullit “në xhep”, duke e falënderuar me vete. Ora e paralajmëruar si fundi i stabilitetit të Shqipërisë u mbyll me himnin kombëtar, një Lulzim Bashë të qeshur dhe sigurisht me një mesazh të madh europian; të vendosur deri në fund kundër klikës së narko-trafikut në pushtet.

Si një kukull cirku, i turpëruar me veten ka shumë gjasa të jetë ndier sot edhe polici i karrierës, Altin Qato. E nxorën të shkretin dje të recitonte një tekst apokaliptik, të shkruar në paradhomën e Ramës; 

“Zhvillimi i kësaj proteste cenon rëndë rendin dhe sigurinë publike dhe po ashtu qartësisht ajo dëmton interesat e qytetarëve. Ndaj Policia e Shtetit ju bën thirrje të gjithë qytetarëve të mos marrin pjesë në këtë protestë të paligjshme dhe me rrezik të madh për rendin dhe sigurinë”.

Qytetarët nuk i dëgjuan, as u frikësuan. Dolën, paralajmëruan edhe u larguan në mënyrë të paqtë. Rendi dhe siguria nuk u prek. Qetësia e rreme e Ramës dhe sektit të tij, po.

Pastaj për ta futur frikën mu në palcë, tekstshkruesit e asaj që lexoi me gjysmë zëri i shkreti Qato, futën në lojë edhe kriminelët.

“Policia e Shtetit ju bën thirrje qytetarëve të mos bien pre e thirrjeve, që synojnë kaos, konflikt, destabilizim. Policia e Shtetit sjell gjithashtu në vëmendje që zhvillimi i manifestimeve të paligjshme mundet të shfrytëzohet edhe nga elementë kriminal me qëllime të caktuara për të krijuar destabilitet. Ndaj ju bën thirrje qytetarëve që të shmangin pjesëmarrjen në aktivitete të tilla të paligjshme”.

Sa qesharakë!

Flet Edi Rama për kriminelë. Shefat e tyre i ka në parti, parlament dhe me shumë gjasa i ka pasur në tavolinën e tij duke parë, si do “bënin namin” protestuesit për tju treguar negociatorëve me gisht “fajtorin e vërtetë”. Asgjë nuk ndodhi, por duhej të ndodhte me se s`bën. Çfarë do themi nesër?! Prandaj hajde të krijojmë kaosin dhe destabilitetin virtual, nëpërmjet mediave.

“Tetë ambulance u bllokuan nga protesta. Në Rrëshen protestuesit u kanë hedhur naftë rrënjëve të pemëve dekorative të sapo mbjella, që të thahen…”, shkruan Tema që e ka marrë nga “lexo.al”, portal ky që e ka zyrën te paradhoma e borderove të fryra mediatike, të Edi Ramës.

Sa në hall! 

Shikoni çfarë përrallash, në dëshpërim për të shpikur një opozitë dhe popull të dhunshëm shkruan Tema për këtë temë; “Mjetet që PD po përdor për të protestuar deri tani kanë qenë të paligjshme. Çadra është e paligjshme në bulevard si dhe bllokimi i rrugëve është një akt i paligjshëm. Mirëpo, përpos këtyre, militantët e PD-së në Rrëshen (bashkia Mirditë) kanë shkuar edhe më tej. Ata të gjithë pemëve dekorative të sapo mbjella në Sheshin “Abat Doci” u kanë hedhur naftë te rrënjët, që të thahen, thonë burime për Lexo.al . Një akt ekstrem ky që tregon se mjeti i vetëm i tyre mbetet shkatërrimi”.

Në vitin 2011 po ky Edi Ramë në opozitë atëherë, i urdhëroi njerëzit e tij të mbushnin rrugët nacionale me gurë e beton; dogjën goma e pemë. Atëherë ishte i ligjshëm, sot Lulzim Basha që ka urdhëruar të mos preket qoftë edhe një lule, quhet i “jashtëligjshëm”.

Edi Rama, e ka shumë për zemër Kushtetutën. E përmend si një mburojë veçanërisht tani, që po i rrëshqet nën këmbë republika e narko-trafikut. Kushtetuta “ja lejoka” atij, që t`ja dorëzojë gjithë territorin mafies, për ta shndërruar në plantacionin më të madh të kanabisit në botë; që të katapultojë krimin në legjislativ, pushtet lokal dhe gjithë piramidën e administratës shtetërore; që ta mbyll normalisht mandatin e tij si kryeministër... por nuk lejoka që për të gjitha këto, populli të protestojë.

Neni 2 i Kushtetutës thotë: “Populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërsëdrejti...”.

Neni 47: “Liria e tubimeve paqësore dhe pa armë, si dhe e pjesëmarrjes në to është e garantuar”.

Pra kur përfaqësuesit në pushte të një populli, bëhen palë me krimin e organizuar, atëherë qytetarët kanë të drejtën kushtetuese që ta marrin vetë situatën në dorë.

Edi Rama dhe klika që përfaqëson me gjithë oborrin e tij mediatik. nuk duhet të jetë i trishtuar që protesta ende nuk po këput qoftë edhe një lule. Duhet të tmerrohet nëse vazhdon të refuzojë, ta kuptojë mesazhin e qartë. Edhe në ditët e revolucionit francez, populli nuk shkeli mbi lulet e kopshteve të Versajës, por vërshoi drejt e në apartamentin mbretëror…

SYRI.net