Dasho: Gracka e tallavasë
Dr. Erion Dasho gjykon se fushata e qeverisë Rama për zgjedhjet lokale me ritmet e tallavasë, po i bën rilindësit vërtet të duken qesharakë, por...jo se ata janë budallenj, mendon ai.
“Duke kërkuar falje për shprehjen,- shkruan doktori dhe analisti i njohur politik, - budallenj e syleshë janë ata që bien në grackën e rilindësve dhe me një kërcim tallavaje u japin votën që do t'i skllavërojë edhe katër vjet të tjerë.”
“Brezi im është i fundit brez i edukuar në komunizëm që mban mend festat e kooperativave, ku kërcehej rreth grurit apo prodhimeve të tjera bujqësore me këngë e valle standarde, treçereku i të cilave flisnin për partinë dhe Enverin", - shkruan Dasho në Fb.
"Këto pamje të pështira më janë rikthyer në kujtesë, kur shoh rilindësit e sotëm të shfrytëzojnë çdo mundësi për të kërcyer me të rinj, të moshuar, gra e burra. Me lëvizje prej dallkaukësh dhe pozat aspak natyrale që marrin, rilindësit janë bërë thellësisht qesharakë.
Por, rilindësit nuk janë budallenj!
Në të kaluarën ata kanë shfrytëzuar edhe fabula si timoni e tepsia për të ndërtuar mbi to fushata të suksesshme që u kanë dhënë fitoren. Duke kërkuar falje për shprehjen, budallenj e syleshë janë ata që bien në grackën e rilindësve dhe me një kërcim tallavaje u japin votën që do t'i skllavërojë edhe katër vjet të tjerë.
Nëse rilindja fiton, vota e 14 majit do të mbahet mend padyshim si vota e tallavasë. Është në dorën e shqiptarëve të nxjerrin zbuluar propagandën e boratëve dhe të bëjnë që kjo fushatë të mbahet mend si vota e ndryshimit. Të shpresojmë...”