‘Bashkë Fitojmë’ në Romë e Viterbo, Kepi: Emigrantëve prej 30 vitesh ju mohohet e drejta e votës
Doktor Ilir Alimehmeti, kreu i listës së kandidatëve të Këshillit Bashkiak të koalicionit “Bashkë Fitojmë” dhe të kandidatit për Bashkinë e Tiranës Belind Këlliçi dhe një nga anëtaret e këtij ekipi, gazetarja Alba Kepi, kanë zhvilluar në Romë e Viterbo të Italisë, takime me emigrantë shqiptarë.
Kepi, kandidate për Këshillin Bashkiak të Tiranës me koalicionin “Bashkë Fitojmë” ishte e ftuar në 'Kafe Shqeto' në Syri Tv, ku tregoi më shumë për këtë takim si dhe rikujtoi edhe njëherë rëndësinë e të drejtës së votës për emigrantët, të cilët, Kepi thekson se janë kontribuuesit kryesor në ekonominë shqiptare.
“Vota e emigrantëve është një nga premtimet e pambajtura të qeverisë Rama, vota e tyre është edhe një nga detyrimet që Shqipëria ka ndaj këtyre personave. Shifrat thonë se janë jo pak por 220 mijë familje shqiptare që çdo vit mbahen nga të ardhurat e emigrantëve. Dhe kanë sigurinë e vetme të jetesës së tyre nga këto të ardhura. Vetëm në vitin 2021 të ardhurat e emigrantëve kanë qenë 761 milionë euro dhe e kanë pasur një shifër rekord në krahasim me këto 30 vite. Po i them këto shifra por të kuptuar se e drejta votës së emigrantëve nuk është një kapriço që mund të bëhet ose jo, por një e drejtë e merituar, pasi janë kontribuesit e vërtetë të ekonomisë shqiptare. Ky ishte një takim ku u dëgjuan hallet e tyre, dhe vërtet ndjeheshim të paaftë për tu dhënë një përgjigje. Tridhjetë vite që nuk mundësohet vota e tyre, mjafton dhe qoftë një e drejtë për të votuar pranë ambasadave edhe pse gjithmonë kemi frikën se nuk do jetë i garantuar, por duhet një përpjekje e parë, një hap, që këta kontribues të rëndësishëm të ekonomisë të kenë një qasje.”