Rama injoron edhe raportin e ODIHR, premton sërish rritje pagash

Teksa na ndajnë gati dy javë nga zgjedhjet lokale, kryeministri Edi Rama vijon me premtimet për rritje pagash.

Në një postim në FB, ai shkruan se “në dy vitet e ardhshme do të ketë sërish rritje të pagës nga 26%-34% për rreth 18,858 punonjës të Sistemit Shëndetësor”.

Njoftimi vjen pak orë pasi misioni i vëzhguesve të zgjedhje nga OSBE ODHIR prezantoi raportin paraprak për lokalet e 14 Majit. Mes të tjerash, në raport evidentoheshin shqetësimet se premtimet për rritje page nga kreu i qeverisë cilësohen si abuzim me burimet shtetërore.

“Ndryshimet e fundit paraqitën masa të tjera mbrojtëse kundër abuzimit me burimet shtetërore. Megjithatë, shumë bashkëbisedues të Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve MVZ-së së ODIHR-it ngritën shqetësime lidhur me iniciativat e fundit të ndërmarra nga qeveria, siç është bonusi i pensionistëve dhe premtimet e kryeministrit lidhur me pagat e punonjësve të sektorit publik. Komisioneri deklaroi publikisht se sipas interpretimit të tij, dispozitat ligjore përkatëse zbatohen vetëm për zgjedhjet parlamentare”, thuhet në raport.

Shpërndarja e fondeve para zgjedhjeve lokale nga institucionet shtetërore është kthyer tanimë në një çështje problematike sipas eksperteve dhe opozitës, që synon përfitime elektorale.