Problemet me rrogat, skuadra shqiptare ‘katandiset’ me 9 lojtarë në stërvitje

Librazhdasit e Sopotit dhe pse janë ende në garë për ngjitjen në Kategorinë e Parë nëpërmjet fazës “play off”, duket se nuk po kalojnë aspak një situatë komode.

Çështja e pagave është bërë shkak që ekipi të përfundojë vetëm me 9 lojtarë në stërvitje.

Shumica e lojtarëve mungojnë gjatë ditëve duke nxjerrë justifikime të ndryshme, por që në thelb kanë çështjen e parave të pa marra.

Bëhet fjalë për disa dieta të prapambetura nga transfertat e fundit që lojtarët nuk kanë marrë dhe lënia pa paga e tre lojtarëve që punojnë në administratë.

Por duket se të gjithë lojtarët vendas janë bërë bashkë duke refuzuar në ditë të caktuara stërvitjen si shenjë proteste ndaj administratorit të ekipit Andri Çota.

Kësisoj këto ditë në stadiumin e Librazhdit tekniku Shkëlqim Lleshanaku është parë të bëjë stërvitje vetëm me 9 lojtarë të grumbulluar.

Të dielën librazhdasit janë pushim në kampionat, për tu rikthyer të mërkurën, ku udhëtojnë drejt Tropojës për të luajtur ndoshta transfertën më deçizive të sezonit.