Ancelotti: Vinicius trajtohet në fushë si Pele dhe Maradona

Carlo Ancelotti ka krahasuar trajtimin që Vinicius Junior merr në fushë me atë të Peles dhe Diego Maradonës.

Trajneri italian u paraqit në konferencën për media sot, një ditë para përballjes me Almerian në La Liga.

Mes tjerash, ai foli edhe për Viniciusin, ku përmendi edhe fyerjet në baza racore me të cilat ai përballet.

“Nga njëra anë është ajo që ndodh në fushë dhe nga ana tjetër, jashtë saj. Jashtë kësaj, është keq për shoqërinë, të ketë ende racizëm… një shoqëri moderne nuk mund të jetë e tillë”, tha Ancelotti.

“Dhe në fushë, e vërteta është se lojtarët e godasin shumë, është e qartë. Edhe Maradona apo Pele u goditën shumë, për fat të keq. Fati ynë është që Vinicius ka një fizik të fortë dhe është i aftë të durojë”, shtoi ai.

Më herët në konferencën për shtyp, Ancelotti kishte thënë se për të parandaluar lëndimet ishte që ai të shihte drejtësinë.

“Ne e kemi atë shqetësim, është krejt normale. Ai përpiqet të mposhtë shumë njeriun e tij, ai driblon… dhe e vetmja mënyrë për të ruajtur këtë lloj lojtari, jo vetëm Vinicius, por të gjithë lojtarët, është drejtësia. Vetëm kjo mund të parandalojë që diçka e keqe të ndodhë”, u shpreh trajneri i “Los Blancos”.