Nuk ka të ardhme te Bayerni, Sadio Mane pëlqehet nga Chelsea

Chelsea po studion mundësinë për nënshkrimin me Sadio Mane këtë verë.

Sulmuesi senegalez, sipas të gjitha gjasave, nuk do të qëndrojë në Mynih pas përfundimit të sezonit.

Grushtet që i dha Leroy Sanesë dhe mbi të gjitha paga e lartë 20 milionë euro në sezon i kanë mbyllur të gjitha shtigjet për vijimin te gjigantët e Bundesligës.

Mane u largua nga Liverpooli verën e kaluar për t’u bashkuar me kampionët e Bundesligës.

Fillimi ishte pozitiv në Gjermani, duke shënuar 11 gola në 23 paraqitjet e tij të para për klubin.

Megjithatë, Mane pësoi një dëmtim në nëntor, i cili e mbajti atë jashtë fushës deri në shkurt, dhe që nga kthimi ai ka luftuar për të rifituar formën e tij, duke shënuar vetëm një gol në 11 paraqitje në të gjitha garat.

Ka gjithashtu zëra se trajneri i ri i Bayernit, Thomas Tuchel, nuk e ka me sy të mirë.

Situata u përkeqësua kur Mane u përfshi në një grindje në dhomën e zhveshjes me shokun e skuadrës së Bayernit, Leroy Sane, pas humbjes në Champions League përballë Manchester City-t.

Chelsea sheh me afrimin e Manesë zgjidhjen e problemeve kryesore në sulm, pasi ai mund të luajë në disa pozicione në fazën e avancuar.

Bayern thuhet se dëshiron të rikuperojë shumën 27 milionë stërlina plus shtesat që i pagoi Liverpoolit për shërbimet e Manesë.

Përvoja e Manesë në Premier League (ka shënuar 111 gola dhe ka dhënë 47 asistime në 263 paraqitje për Southamptonin dhe Liverpoolin) është një bonus i madh për të firmosur me ekipet angleze.