Një tjetër kryebashkiak socialist në SPAK/ SYRI TV publikoi përgjimin e blerjes së votave në Rrogozhinë
Kreyebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memollaj ka dhënë deklarime për rreth dy orë këtë të enjte në SPAK.
Ai nuk i është përgjigjur interesit të mediave për të ditur rrethanat e thirrjes së tij në Prokurorinë e Posaçme, ndërsa burime nga SPAK konfirmojnë lajmin, por janë të rezervuar për detaje të çështjes për të cilën është pyetur Memolla.
Ai mësohet se është pyetur nga prokurorja Manjola Kajana, ndërsa jo-zyrtarisht mësohet se ka të bëjë me disa punësime fiktive nga ana e tij.
Kujtojmë se disa kohë më parë, Partia Demokratike ka kallëzuar në Prokurorinë e Posaçme kreun e Bashkisë Rrogozhinë, Edison Memolla, për akuzën e shit-blerjes së votave.
Në një bisedë telefonike me zonjën e shtëpisë, Memolla konfirmon se ishte takuar më herët me telefonuesen, të cilës i kishte garantuar mos-ndërprerjen e energjisë, në këmbim të votës për zgjedhjet e 6 marsit. E më pas në telefon del elektricisti që kishte shkuar për ndërprerjen e energjisë, të cilit Memolla i kërkon që të mos ia ndërpresë energjinë sa t’i marrin votat, e për të justifikuar veprimin, ai vetë do t’i paguante faturën e një muaji. Madje Memolla e orienton elektricistin që pasi të kalojnë zgjedhjet mund të vepronin.
Por jo vetëm kaq.
Kandidati i Partisë Socialiste për Rrogozhinën Edison Memolla, i thotë elektricistit, me të cilin kishte njohje të mëparshme se do të fliste me Edin e më pas të flisnin edhe më lart, në mënyrë që këtë periudhë, sa të kalonin zgjedhjet, të mos bënin ndërprerje, por aksionin ta nisnin pas 6 marsit, kur qytetarëve t’u kishin marrë votën.