Allegri: Na vjen keq për finalen, tani të mendojmë për vendin e tretë

Hidhërim për Massimo Allegri dhe Juventusin e tij, të cilët u mposhtën 1-0 nga Interi në “San Siro” dhe nuk mundën të shkonin në finalen e Kupës së Italisë.

“Pjesën e parë e patëm të përgjumur dhe pësuam golin, bënë një lojë të mirë, por nuk gjuajtëm shumë. Duhet të rimbushim energjitë tona, kemi gjysmëfinalen e Europa League dhe duhet të përveshim mëngët për t’u rikthyer në punë.

Duhet të mbrojmë vendin e tretë dhe të mbajmë larg Romën dhe Milanin. Duhej të bënim më mirë në fazën sulmuese, por nuk arritëm ta përmbysim rezultatin. Nuk ishte e lehtë, fitorja nuk është e lehtë ndaj Interit në ‘San Siro’.

Na vjen keq që nuk jemi në finale, por këtë vit duhet të jesh i mirë dhe i fortë për të mbajtur shpatullat e gjëra. Duhet të punojmë më shumë që sezonin tjetër të jemi të gatshëm të prekim çdo finale të mundshme ne Itali”, është shprehur Allegri.