Mbushet stadiumi për Inter-Juve, shifra rekord që arkëtojnë zikaltrit

Interi regjistron rekord të ardhurash për ndeshjen ndaj Juventusit.

Klubi zikaltër ka shitur të gjithë biletat në dispozicion për sfidën ndaj bardhezinjve, që do të luhet mbrëmjen e sotme në “San Siro”, me objektiv kualifikimin në finale.

Plot 75 mijë tifozë do të mbushin shkallët e stadiumit mitik, shifër që tejkalon atë të derbit ndaj Milanit sezonin e kaluar, edhe atëherë në gjysmëfinale.

Vlen të theksohet se klubi zikaltër ka raportuar rreth 5 milionë euro të ardhura nga shitja e biletave për ndeshjen ndaj Juventusit, një shifër kjo rekord për një ndeshje të Kupës së Italisë.

E nëse në tribunë spektakli është i garantuar, tashmë u takon skuadrave në fushë, që të bëjnë më të mirën, për të ofruar një 90-minutësh ashtu siç i ka hije derbit të Italisë.