VIDEO-SYRI TV/ Këlliçi denoncon korrupsionin në Bashkinë e Tiranës, drejtori i IMT-së mori miliona euro tendera
Kandidati i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’, Belind Këlliçi denoncoi skemën e përfitimit të miliona eurove përmes tenderave dhe leje të ndërtimit, nga drejtori i IMT-së, në bashkinë e Tiranës, Mariglen Qato. Këlliçi publikoi faktet se si, Qato përmes kompanisë së të afërmve të tij, ka përfituar tendera nga institucione të ndryshme, përfshirë edhe statusin e investitorit special për një hotel në vlerën e 15 milionë eurove.
Nga SYRI TV
Kandidati i Koalicionit, Bashkë Fitojmë për Kryeqytetin, Belind Këlliçi, denoncoi skemën e korrupsionit dhe përftimit, të miliona eurove, nga drejtorë të bashkisë së Tiranës.
Këlliçi deklaroi se në krye të skemës, qëndron Mariglen Qato, drejtor i IMT-së, në Bashkinë e Tiranës, ndërsa të afërm të tij, të punësuar në poste drejtuese, në institucione të tjera, përmes kompanisë, ‘5D konstruksion’ kanë përfituar të paktën mbi 25 milionë euro tendera nga bashkia e Tiranës dhe institucione shtetërore.
Por njerëzit e afërt të kryebashkiakut Erion Veliaj, nuk janë mjaftuar vetëm me tendera. Këlliçi publikoi edhe lejet e ndërtimit që ka marrë kompania e njerëzve të Mariglen Qatos, ku përfshihet edhe një hotel në vlerën e 15 milionë eurove.
Kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës e përmbylli deklaratën e tij, me premtimin se pas 14 majit, do të luftoje korrupsionit në Bashkinë e Tiranës.